Në listën e prioriteteve të Ministrisë së Mbrojtjes është dhe rivitalizimi i ish-bazës së nëndetëseve në Porto Palermo për qëllime të dyfishta, civile dhe ushtarake.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu në një postim në rrjetet sociale ku ndau pamje nga tuneli i Porto Palermos.
Vengu e cilësoi Porto Palermon një kombinim të rrallë të natyrës mahnitëse me një prej veprave më të rëndësishme ushtarake në të shkuarën.
“Në listën e prioriteteve të Ministrisë së Mbrojtjes është dhe rivitalizimi i bazës për qëllime të dyfishta, civile dhe ushtarake. Duke mirëadministruar objektet e këtij kompleksi ushtarak dhe civil, duke përmirësuar kushtet dhe akesesin për publikun në tërësinë e Gjirit të Panormës, synojmë të gjenerojmë sa më shumë të ardhura publike që do të jenë në funksion të mirëmbajtjes së këtij aseti të vyer”, theksoi Vengu.
Projekti synon miradministrimin e zonës, e cila ka nisur të jetë një destinacion turistik i privilegjuar, duke respektuar normat mjedisore dhe duke ofruar kushte sa më të larta sigurie lundrimore.
Hapi tjetër do të jetë përshtatja joinvazive e objekteve të kompleksit që nuk gëzojnë më funksione ushtarake, me qëllim krijmin e një atraksioni turistik të qëndrueshëm.
Projekti synon gjithashtu të rikthejë në gatishmëri teknike këto asete të çmuara të Forcës sonë Detare, të cilat mund të shërbejnë për qëllime stërvitjesh kombëtare dhe ndërkombëtare.
Porta e tunelit të fortifikuar të Porto Palermos u hapet për herë të parë pas 32 vjetësh më 11 gusht të këtij viti.
Ndërtimi i këtij tuneli nisi në 1969 dhe zgjati deri në vitin 1988. Ai shërbente për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, duke shërbyer njëkohësisht si një bazë e fuqishme dhe e mbrojtur.
The post Shqipëria pritet të rikthejë në funksion ish-bazën e nëndetëseve në Porto Palermo first appeared on Radio Televizioni Iliria.