RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shqipëria reagon ndaj mospërfshirjes së himnit shqiptar në aktivitetin në Pustec ku mori pjesë kryeministri maqedonas

shqiperia-reagon-ndaj-mosperfshirjes-se-himnit-shqiptar-ne-aktivitetin-ne-pustec-ku-mori-pjese-kryeministri-maqedonas

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ) ka reaguar në lidhje me mungesën e himnit shqiptar në një aktivitet në Pustec, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë për mediat, MEPJ thekson se shpreh keqardhje për faktin që, në një aktivitet kulturor të zhvilluar dje në Pustec, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe të kryetarit të Bashkisë, nuk u luajt edhe Himni Kombëtar Shqiptar, krahas atij të Maqedonisë së Veriut.

“Edhe pse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension të veçantë publik. Në këtë kontekst, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit, të cilat kërkojnë dhe imponojnë respektimin e simboleve kombëtare krahas atyre të komuniteteve që ato përfaqësojnë”, thekson njoftimi.

Gjithashtu thuhet se respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi dhe shtohet se është pjesë e etikës institucionale, e protokollit dhe, “mbi të gjitha, e respektit të ndërsjellë, veçanërisht në një hapësirë ku bashkëjetojnë komunitete dhe identitete të ndryshme”.

“Në Pustec, ashtu si në çdo hapësirë të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e respektit për vetë qytetarët, për vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe kulturës qytetare që na bashkon. Është gjithashtu themel i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe shteteve tona”, thuhet në njoftim.

Në një aktivitet me karakter kulturor dje në Pustec të Shqipërisë, ku jeton kryesisht pakica kombëtare maqedonase, ku i pranishëm ishte edhe Mickoski, u raportua se nuk është intonuar himni shqiptar, por vetëm himni i Maqedonisë së Veriut.

Kjo situatë ka shkaktuar reagime në Shqipëri, përfshirë edhe të institucioneve.

Raportohet se kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, ka reaguar lidhur me ekzekutimin vetëm të himnit të Maqedonisë së Veriut dhe jo atij shqiptar në hapje të aktivitetit, duke theksuar se ka kërkuar edhe himnin shqiptar.

Related posts

Si u shpërbë aleanca Saudi-Emirate

Muhamet Ramadani

Presidenti koreano-jugor: Seuli i vendosur të zgjerojë lidhjet strategjike me Ankaranë

RTI

Çështja e njohjes së Kosovës “përplas” Gjermaninë me Spanjën

Muhamet Ramadani