Në Shqipëri shënohet sot Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, ku në vend janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve të lartë, raporton Anadolu.
Ceremonia qendrore zyrtare me rastin e 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është mbajtur në Sheshin e Flamurit në Vlorë me pjesëmarrjen e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, Kryeministrit Edi Rama, Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe zyrtarëve të tjerë.
Rama dhe Kurti patën edhe një shtrëngim duarsh mes tyre, ndërkohë u takuan edhe me qytetarë të pranishëm në ceremoni.
Me rastin e 28 Nëntorit, ceremoni dhe aktivitete të ndryshme janë organizuar edhe në Tiranë, ku nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës është organizuar “Parada kuqezi”.
Në paradën e organizuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet kanë marrë pjesë mijëra shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, si dhe ansamble muzikore, artistë, nxënës, zyrtarë dhe personalitete nga fusha të ndryshme.
Parada ka krijuar një atmosferë festive, ku edhe qytetarët kanë përshëndetur pjesëmarrësit në paradë, ndërsa në përfundim të saj është planifikuar ngritja simbolike e flamurit në Sheshin “Skënderbej”.
Ndërkohë, për Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë, edhe motori i kërkimit Google ka uruar shqiptarët, duke u “veshur” me ngjyrat kuq e zi.
Me rastin e 28 Nëntorit, Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë janë dekoruar me flamuj dhe simbole të tjera kombëtare, ku sheshet, shtëpitë dhe godinat e institucioneve janë zbukuruar me ngjyrat kuqezi.
Në Shqipëri 28 Nëntori festohet si Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, pasi më 28 nëntor të vitit 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë.