RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shqiptaria në filtrin e Ben Blushit: kush është i denjë për “bashkimin” e tij?

shqiptaria-ne-filtrin-e-ben-blushit:-kush-eshte-i-denje-per-“bashkimin”-e-tij?

Mufkat e reja plot vrer të shkrimtarit kontrovers mbi Kosovën dhe Islamin
Ben Blushi, njeriu që e ka shndërruar cinizmin e tij të përditshëm një një art të vogël mbijetese politike dhe letrare, është rikthyer sërish në skenë me një nga ato predikimet e tij solemne për “bashkimin kombëtar”.

Por pas fasadës së fjalëve të mëdha, fshihet e njëjta skizmë e vjetër dhe e qelbëzuar: kompleksi i madhështisë metropolitane dhe një islamofobi e verbër që nuk e lë të shohë më larg se hunda e tij.

Sipas Blushit, patriotët e mëdhenj, vizionarët e mëdhenj gjenden vetëm këtu, në Tiranë, dhe nisin, natyrisht, me portretin e tij madhështor. Ndërsa në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, sipas logjikës së tij prej provinciali të lartësuar në mendje, qenka streha e shqiptarëve më të këqij.

E atyre që gjykojnë ngushtë ose që, për shkak të besimit të tyre mysliman, gjoja paskan frikë apo refuzojnë bashkimin. Në shkrimin e tij më të fundit, duke u nisur nga deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio se shtetet e vogla që nuk prodhojnë dot ilaçe apo anije rrezikojnë të mos ekzistojnë, Blushi hedh tezën se e vetmja mënyrë për Shqipërinë që të mbijetojë ndaj gllabërimit të perandorive është të sillet si fuqi e madhe.

Të bashkohet fillimisht me Kosovën dhe më pas, të lutet për shpërbërjen e Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, bota nuk njeh shtete të mira apo të këqija, por vetëm të mëdha e të vogla. Të parët, sipas kësaj logjike, kanë gjithmonë të drejtë.

Megjithatë, ai nxjerr si pengesë kryesore vetë shqiptarët jashtë kufijve: kosovarët, të cilët sipas tij na shohin si “të ndotur” dhe të drejtuar nga mafia, dhe shqiptarët e Maqedonisë, të cilët gjoja paskan rënë pre e një “islamizmi ekstrem” që i largon nga trungu kombëtar.

Kjo mënyrë të menduari nuk është thjesht një analizë e gabuar. Është një shfaqje e hapur e një snobizmi të sëmurë që buron nga sallonet e izoluara të Tiranës.

Është e mjerueshme të shohësh se si një shkrimtar, i cili dikur pretendonte se mbante mbi supe kauza të mëdha, sot e redukton fatin e kombit në një pazar ku bashkimi ose refuzohet për shkak të paragjykimeve fetare, ose shitet si një domosdoshmëri mekanike për t’i shpëtuar krizave ekonomike e globale.

Blushi nuk e kupton, ose nuk do ta kuptojë kurrë, se ndërgjegjja kombëtare nuk është një aksion tregtar që llogaritet në tavolinat e kafeneve të ish-Bllokut. Është një lidhje e pa shkëputur gjaku, historie dhe sakrifice të përbashkët.

Për më tepër, fyerja e drejtpërdrejtë që ai u bën shqiptarëve të Maqedonisë, duke i etiketuar si “islamikë të mjerë”, dëshmon një islamofobi patologjike që ka kapluar prej kohësh mendjen e tij.

Për Blushin, çdo formë e besimit tradicional apo e praktikimit fetar shikohet si një “infektim ideologjik” që e largon popullin nga drita e qytetërimit perëndimor, të cilin ai e sheh vetëm përmes lentes së tij laike e elitare.

Ky nuk është patriotizëm por racizëm kulturor i brendshëm. Një përpjekje e ulët për të përçarë shqiptarët përmes ndarjeve fetare e krahinore, duke u bërë kështu një shërbim të shkëlqyer vetëm armiqve historikë të kombit tonë, të cilët gëzohen kur na shohin të përçarë.

Kjo është një tezë thellësisht dashakeqe dhe absurde, e cila sfidon çdo lloj realiteti historik. Të reduktosh sakrificën e Kosovës në teka provinciale, tregon një shkëputje totale nga e vërteta. Faktet janë kokëforta: dy luftërat e fundit çlirimtare të kombit tonë nuk u bënë nga analistët e Tiranës që shkruajnë mbi kafenë e mëngjesit.

Ato u bënë nga vetë shqiptarët e Kosovës në vitet 1998-1999, të cilët paguan faturën e rëndë me mbi 13.500 dëshmorë e viktima, dhe nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni në vitin 2001, e cila solli Marrëveshjen e Ohrit dhe sanksionoi të drejtat tona në Kushtetutë.

Ata që derdhën gjak për këtë flamur nuk kanë nevojë për leksione puritanizmi dhe morali nga ata që flasin serb-serbes nga Tirana. Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë provinca për t’u matur me kutin e paragjykimeve dhe islamofobisë kronike të Blushit.

Kombi nuk bashkohet duke fyer vëllezërit e gjakut dhe duke ngritur mure përçarëse. Ai bashkohet me respekt të ndërsjellë dhe sakrificë të sinqertë. Tek e fundit, këtë avaz Blushi e ka pasur edhe më parë.

Por, teksa janë mbushur tashmë dy vjet nga ndarja nga jeta e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, të cilin ai vetë dhe enturazhi i tij përpiqeshin ta ngrinin në nivelin e një “babai shpirtëror të kombit”, edhe pse idetë e tij ishin jo rrallë shumë të diskutueshme dhe përçarëse, duket se Ben Blushi po rreket gjithnjë e më shumë ta zërë atë vend dhe atë rol, si në letërsi, ashtu edhe në jetën publike.

Sidoqoftë, për fatin e tij të keq, po dështon me bujë në të dyja fushat. Dhe kjo i shton edhe më tej mllefin dhe acarimin ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe besimtarëve muslimanë, këtej dhe andej kufirit. tesheshi.

Related posts

Rusia dhe Irani diskutojnë për zhvillimet në Karabak

admin

Putini kërcënon: Përdorimi i armëve perëndimore nga Ukraina do të thotë që NATO-n është në luftë me Rusinë

admin

Zgjedhjet në Kosovë, numërimi i votave përfundoi brenda 10 ditësh, VV siguroi 53 mandate

admin