RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shteti Bektashi dhe “vullneti i shqiptarëve”: kush po vendos për Shqipërinë?

shteti-bektashi-dhe-“vullneti-i-shqiptareve”:-kush-po-vendos-per-shqiperine?

Një projekt që prek sovranitetin dhe ekuilibrat fetarë, s’mund të legjitimohet nga deklaratat diplomatike

Ekziston diçka thellësisht kontradiktore në mënyrën si po trajtohet çështja e të ashtuquajturit “Shtet Bektashi” në Shqipëri.

Një projekt që prek drejtpërdrejt sovranitetin, rendin kushtetues, karakterin unitar të shtetit dhe ekuilibrat tepër të ndjeshëm fetarë të vendit, nuk ka lindur nga një kërkesë e artikuluar publike, nuk është diskutuar në një proces demokratik dhe as nuk është paraqitur në formën e një dokumenti konkret para qytetarëve.

Megjithatë, përpara se shqiptarët të dinë se çfarë do të jetë realisht ky entitet, cilat kompetenca do të ketë, çfarë statusi juridik do të gëzojë dhe çfarë pasojash do të sjellë për Shqipërinë, projekti tashmë ka marrë bekime politike nga jashtë.

I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, gjatë vizitës së tij në Tiranë, e quajti krijimin e një shteti bektashi “një projekt të shkëlqyer”. Më pas shtoi se “vendimi i takon popullit shqiptar” dhe se komuniteti ndërkombëtar do të respektojë zgjedhjen e tij.

Po pikërisht këtu nis problemi. Për cilin vullnet të popullit shqiptar po flitet? Kur është pyetur populli shqiptar për këtë projekt? Kur është organizuar një konsultim kombëtar? Kur është zhvilluar një debat i vërtetë parlamentar?

Ku është studimi juridik, kushtetues dhe institucional, që shpjegon se si mund të krijohet një juridiksion sovran brenda territorit të Republikës së Shqipërisë pa cenuar vetë natyrën e shtetit shqiptar? Deri tani, s’ka asnjë përgjigje bindëse.

Qeveria vazhdon të thotë se nuk ka ende një projekt konkret dhe se do të përgatitet një dokument serioz që më pas do të konsultohet gjerësisht. Por kjo e bën situatën edhe më paradoksale.

Si mund të quhet “projekt i shkëlqyer” një nismë, përmbajtja përfundimtare e së cilës ende nuk është bërë publike? Çfarë po vlerësohet në të vërtetë? Një ide? Një koncept? Apo një projekt që, ndonëse nuk u është paraqitur shqiptarëve, duket se është diskutuar prej kohësh në qarqe politike dhe diplomatike?

Shqiptarët kanë të drejtë të jenë skeptikë dhe shumë të shqetësuar. Jo sepse kanë ndonjë problem me besimtarët bektashinj. Përkundrazi. Bektashizmi është pjesë e historisë shpirtërore, kulturore dhe kombëtare të Shqipërisë.

Roli i bektashinjve në historinë kombëtare shqiptare është i padiskutueshëm dhe askush nuk mund të kontestojë të drejtën e këtij komuniteti për të zhvilluar lirisht jetën e tij fetare, institucionale dhe kulturore.

Por respekti për një komunitet fetar, nuk nënkupton detyrimisht pranimin e krijimit të një shteti të veçantë për të. Këto janë dy çështje krejtësisht të ndryshme. Pra problemi nuk është Bektashizmi, por ideja e krijimit të një entiteti sovran me bazë fetare brenda territorit të një republike laike dhe unitare.

Shqipëria ka ndërtuar për dekada një ekuilibër të rrallë mes komuniteteve fetare. Prandaj çdo ndërhyrje artificiale në këtë arkitekturë duhet trajtuar me kujdes ekstrem. Harmonia fetare shqiptare nuk është një lodër diplomatike dhe as një projekt eksperimental për t’u paraqitur si model në konferenca ndërkombëtare.

Ajo është rezultat i një historie të gjatë bashkëjetese, tolerance dhe ekuilibrash të ndërtuar me shumë kujdes. Për këtë arsye, kundërshtimi ndaj kësaj nisme nuk duhet reduktuar në një përplasje politike mes qeverisë dhe opozitës.

Kundërshtimet kanë ardhur nga individë, studiues, juristë, besimtarë të komuniteteve të ndryshme dhe qytetarë që e shohin projektin si një precedent potencialisht të rrezikshëm.

Edhe Komuniteti Mysliman Shqiptar ka paralajmëruar se nisma mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

Kjo nuk është çështje diskriminimi ndaj askujt. Përkundrazi, është çështje e ruajtjes së parimit që Republika e Shqipërisë është një shtet i vetëm, laik dhe unitar, ku të gjithë komunitetet fetare janë të lirë dhe të barabartë, por asnjëri nuk qëndron mbi shtetin dhe as nuk shndërrohet në një shtet brenda tij.

Prandaj fraza e Zampollit për “vullnetin e popullit shqiptar” tingëllon më shumë si një formulë diplomatike sesa si një realitet. Sepse vullneti i popullit nuk shpallet nga përfaqësues të huaj. Ai matet me zgjedhje, me referendum, me konsultim publik, me debat të hapur dhe me transparencë.

Nuk mund të flitet në emër të popullit shqiptar ndërkohë që populli shqiptar ende nuk ka pasur mundësinë të shprehet. Dhe këtu kujtesa historike duhet të na bëjë të kujdesshëm.

Shtetet e Bashkuara janë aleati më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë dhe kjo është një e vërtetë që nuk ka nevojë të vihet në diskutim. Mbështetja amerikane ka qenë vendimtare në momente të rëndësishme të historisë së Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, veçanërisht për çështjen e Kosovës.

Por miqësia nuk kërkon verbëri. Sepse historia e politikës së jashtme amerikane është gjithashtu e mbushur me episode ku administrata të ndryshme në Uashington kanë ndërhyrë në vende të vogla dhe të dobëta në emër të demokracisë, stabilitetit apo interesave strategjike, ndërkohë që në praktikë kanë mbështetur rrëzimin e qeverive të zgjedhura dhe vendosjen e regjimeve autoritare ose juntave ushtarake.

Nga Amerika Latine deri në Lindjen e Mesme dhe Azinë Juglindore, retorika e “vullnetit të popullit”, shpesh nuk është përputhur me realitetin e politikës amerikane në terren. Kjo nuk është një akuzë ndaj Shqipërisë së sotme dhe as ndaj administratës Trump në mënyrë të veçantë.

Është një kujtesë historike për një rregull të vjetër të politikës ndërkombëtare: fuqitë e mëdha flasin për parime, por veprojnë edhe mbi bazën e interesave. Për këtë arsye, një vend i vogël si Shqipëria ka detyrimin të jetë dyfish më vigjilent.

Ne nuk mund të pranojmë çdo ide të propozuar ose të mbështetur nga një partner i madh vetëm sepse ai partner është mik. Miqësia e vërtetë mes shteteve nuk ndërtohet mbi marrëdhënien mes një tutori dhe një nxënësi, por mbi respektin reciprok.

Shqipëria nuk duhet të vendoset përpara fakteve të kryera. Dhe pikërisht ky është shqetësimi që ngre projekti i shtetit bektashi. tesheshi

Related posts

SHBA-ja dhe Kina zhvillojnë takim në Paris para samitit Trump-Xi

Muhamet Ramadani

Vriten dy ushtarë izraelitë në Bregun Perëndimor

admin

Sveçla shpallet fajtor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

admin