Bashkimi Evropian i është afruar heqjes së masave kufizuese ndaj Kosovës, të vendosura para një viti nga ana e Komisionit Evropian, si pasojë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës.
Masat përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.
Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).
Por, pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.
Nga disa burime diplomatike ne BE thuhet se shumica e madhe e vendeve anëtare janë në favor të heqjes së të gjitha masave, ndërsa një numër më i vogël i shteteve do që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale.
Kundër heqjes së masave, sipas këtyre burimeve, nuk është shprehur asnjë vend anëtarë i BE-së. Kjo përshtypje është vërejtur në diskutimin e fundit që është zhvilluar në BE të martën mbrëma për situatën aktuale në Kosovë. Diskutimi është bërë në Komitetin për politikë edhe siguri të BE-së (PSC) ku janë ambasadorët e 27 vendeve anëtare.Telegrafi
The post Shumica e vendeve të BE-së, pro heqjes së masave ndaj Kosovës first appeared on Radio Televizioni Iliria.