Aleanca me një trafikant droge lidhi kokainën me diktaturën boliviane
Një hetim i ri hedh dritë mbi aleancën e pazakontë mes Roberto Suárezit, të njohur si “mbreti i kokainës”, dhe Klaus Barbie, ish-shefit të Gestapos në Lion, duke e lidhur këtë marrëdhënie me krijimin e asaj që historianët e quajnë narkoshteti i parë modern në botë.
Qyteti bolivian i Cochabambës u bë një nga qendrat e industrisë së kokainës në vitet ’80. Edhe filmi “Scarface” e fiksoi këtë realitet përmes personazhit Alejandro Sosa, një narkotrafikant bolivian që besohet se ishte frymëzuar pikërisht nga Roberto Suárez.
Në kohën kur filmi doli, Bolivia ishte shndërruar në një nga furnizuesit kryesorë të kokainës në tregun amerikan.
Në librin “Narkoja dhe nazisti”, gazetarët Christian Bergmann dhe David López, duke përdorur dokumente të deklasifikuara të CIA-s dhe Mossad-it dhe dëshmi të afro 100 personave, rindërtojnë lidhjet mes Suárezit dhe Barbie-t.
Sipas tyre, ish-oficeri nazist jo vetëm e mbrojti trafikantin, por e shoqëroi dhe e ndihmoi të ndërtonte një sistem ku trafiku i drogës ndërthurej me strukturat e shtetit.
Barbie kishte qenë një nga figurat më brutale të regjimit nazist. Në vitin 1942 u emërua drejtues i Gestapos në Lion dhe lidhet me tortura, vrasje dhe deportime.
Një nga krimet e tij më të njohura ishte deportimi i 44 fëmijëve hebrenj dhe shtatë mësuesve nga Izieu drejt Auschwitz-it. Pas Luftës së Dytë Botërore, ai u arratis në Amerikën e Jugut dhe u vendos në Bolivi, ku përfundimisht u bë edhe kolonel i ushtrisë boliviane.
Aleanca me Suárezin mori formë në vitin 1979, gjatë një darke me oficerë të ushtrisë. Sipas autorëve, Barbie i kërkoi “mbretit të kokainës” 5 milionë dollarë për të financuar grushtin e shtetit që do të sillte në pushtet gjeneralin Luis García Meza në vitin 1980.
Shpërblimi për Suárezin ishte mbështetja dhe mbrojtja e strukturave ushtarake, ndërsa Barbie siguroi edhe një grup paramilitar të përbërë nga ekstremistë të huaj të së djathtës ekstreme.
Trafiku i kokainës u shtri në diktaturën e García Mezas, në ushtri dhe në aparatin politik. Sipas një dokumenti të inteligjencës amerikane, në vitin 1980 tregtia e kokainës në Bolivi kishte kaluar 1.5 miliardë dollarë.
Prodhimi i gjetheve të kokës u rrit nga pak më shumë se 17 mijë tonë në vitin 1979 në mbi 141 mijë tonë në vitin 1985.
Suárez, i ardhur nga bota e blegtorisë dhe tregtisë, solli në trafikun e drogës të njëjtën logjikë biznesi që kishte përdorur në eksportet e bagëtive.
Ai organizoi furnizimin në shkallë të gjerë dhe ndryshoi mënyrën se si funksiononte tregu bolivian. Përmes tij, sipas autorëve, prodhuesit vendas fituan më shumë kontroll dhe çmimet u rritën.
Kjo e afroi edhe më shumë me Pablo Escobarin. Lideri i kartelit të Medellín-it gjente te Suárez një partner të disiplinuar dhe të besueshëm, i aftë të garantonte furnizim të qëndrueshëm me pastë kokaine.
Ndërsa Suárez organizonte biznesin, Barbie siguronte lidhjet, mbrojtjen dhe aksesin në strukturat ushtarake. Këtu qëndron teza kryesore e librit. Nuk bëhej më fjalë thjesht për trafikantë droge që korruptonin zyrtarë, por për një sistem ku vetë strukturat shtetërore përdoreshin për të mbrojtur dhe zgjeruar ekonominë e drogës.
Për Lópezin, kjo ishte origjina e narkoshtetit modern. Historia ngre edhe një pyetje tjetër, ende pa një përgjigje përfundimtare: çfarë dinin Shtetet e Bashkuara për këtë sistem dhe deri ku shkonte toleranca apo përfshirja e tyre?
Familja e Suárezit pretendon se ai kishte lidhje me Oliver North, një figurë e rëndësishme e skandalit Iran-Contra. Autorët nuk thonë se kanë prova për bashkëpunim amerikan në trafikun bolivian, por e konsiderojnë të mundshme që Bolivia të ketë shërbyer si një lloj “prove gjenerale” për mekanizma që më vonë do të shfaqeshin në skandale të tjera. tesheshi

