Qeveria Netanyahu po kombinon zgjerimin e kolonive me operacionet ushtarake
Qeveria e ekstremit të djathtë e kryeministrit Benjamin Netanyahu po zbaton një strategji të qartë për zgjerimin e kolonive izraelite në Bregun Perëndimor, veçanërisht në pjesën veriore të tij, e cila për vite me radhë ka qenë zona me praninë më të madhe dhe më të pandërprerë palestineze.
Ky proces shënon një kthesë të rëndësishme nga politika e vitit 2005, kur qeveria e Ariel Sharon miratoi të ashtuquajturin “’Plan i Shkëputjes”. Përveç tërheqjes nga Rripi i Gazës, ai parashikonte edhe evakuimin e disa vendbanimeve izraelite në veri të Bregut Perëndimor, midis Nablusit dhe Jeninit.
Pas largimit të kolonëve dhe reduktimit të pranisë ushtarake izraelite, kjo zonë u bë territori më i madh me vazhdimësi të pandërprerë palestineze, dhe për një kohë të gjatë, një nga rajonet më pak të prekura nga dhuna.
Por kjo situatë po ndryshon me shpejtësi. Në marsin e vitit 2023, qeveria Netanyahu shfuqizoi ligjin që ndalonte rikthimin e kolonëve në vendbanimet e braktisura në vitin 2005. Vendimi hapi rrugën për ripopullimin e kolonive Homesh dhe Sa-Nur, ku aktivistët e lëvizjes së kolonëve kishin ngritur prej vitesh poste të paligjshme.
Dy vjet më vonë, në vitin 2025, qeveria shkoi edhe më tej, duke autorizuar zyrtarisht rikthimin në këto koloni dhe miratuar ndërtimin e 14 vendbanimeve të reja në veri të Bregut Perëndimor, shumë prej tyre në zona ku më parë nuk kishte pasur kurrë koloni izraelite.
Mbështetja politike për këtë projekt është e hapur. Në ceremoninë e rikthimit në Sa-Nur morën pjesë ministra të kabinetit izraelit, ndërsa ministri i Financave, Bezalel Smotrich,
një nga figurat më radikale të qeverisë dhe vetë kolon, vazhdon të mbështesë publikisht aneksimin e plotë të Bregut Perëndimor.
Një pjesë e kolonive të reja janë ende në ndërtim, ndërsa të tjera janë zgjeruar përtej kufijve të mëparshëm. Për shembull, në Homesh është ngritur një lagje e re pranë një komuniteti palestinez.
Strategjia nuk kufizohet vetëm te ndërtimi i kolonive. Shumë prej tyre janë vendosur pranë Zonës A, territor që sipas Marrëveshjeve të Oslos duhej të mbetej nën administrimin e Autoritetit Palestinez.
Sipas planit të kolonëve, këto vendbanime do të lidhen me një rrjet të ri rrugësh, disa prej të cilave do të kalojnë përmes territoreve palestineze, duke copëzuar vazhdimësinë territoriale të komuniteteve palestineze dhe duke e bërë edhe më të vështirë krijimin e një shteti funksional në të ardhmen.
Në të njëjtën kohë është rritur edhe prania ushtarake izraelite. Pranë pothuajse çdo kolonie të re janë ngritur baza dhe posta ushtarake. Zyrtarisht ato synojnë mbrojtjen e kolonëve, por sipas organizatave të të drejtave të njeriut, ushtria po luan një rol aktiv në konsolidimin e kolonizimit përmes operacioneve ushtarake, pikave të kontrollit dhe kufizimeve të lëvizjes për popullsinë palestineze.
Aktivistët paralajmërojnë se çdo përplasje mes kolonëve dhe palestinezëve mund të shërbejë si pretekst për ndërhyrje më të gjera ushtarake, duke krijuar një spirale të re dhune. Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, doktrina e sigurisë izraelite në Bregun Perëndimor ndryshoi ndjeshëm.
Tashmë rajoni po trajtohet si një front lufte, njësoj si Gaza. Kjo u pa qartë në kampin e refugjatëve të Jeninit, ku në janar 2025 ushtria nisi operacionin “Muri i Hekurt”, duke përdorur taktika të ngjashme me ato të aplikuara në Gaza.
Operacioni solli zhvendosjen e mijëra banorëve dhe shkatërrimin e më shumë se gjysmës së ndërtesave të kampit, ndërsa shumë familje ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre. Sipas analizave të medias izraelite Haaretz, kombinimi i zgjerimit të kolonive dhe militarizimit të territorit po krijon fakte të reja në terren që mund të çojnë në aneksimin gradual të pjesëve të Bregut Perëndimor.
Ndërkohë, lëvizja e kolonëve ka fituar ndikim të madh jo vetëm në politikën izraelite, por edhe brenda ushtrisë, ku një numër në rritje oficerësh të lartë vijnë vetë nga kolonitë dhe mbështesin zgjerimin e tyre.
Për shumë analistë, kjo përbën fazën më të avancuar të projektit izraelit për ndryshimin e hartës së Bregut Perëndimor, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë çdo perspektivë për një zgjidhje me dy shtete. tesheshi

