Nëntë shtetet që kanë armë bërthamore kanë vazhduar të modernizojnë arsenalet e tyre dhe disa prej tyre më 2022 dislokuan sisteme të reja bërthamore apo armë të afta që të bartin armë bërthamore, tha një instituti me seli në Suedi.
“Ne po hyjmë në një prej periudhave më të rrezikshme në historinë e njerëzimit”, tha Dan Smith, drejtor i Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes (SIPRI).
“Është imperative që qeveritë botërore të gjejnë mënyra për të bashkëpunuar me qëllim që të ulen tensionet gjeopolitike, të ngadalësohet gara e armëve dhe të merren me pasojat e dëmtimit të mjedisit dhe rritjes së urisë në botë”, tha ai përmes një deklarate.
SIPRI tha se në nga totali i inventarit botëror prej 12.512 kokave bërthamore, në janar të vitit 2023 rreth 9.576 gjendeshin në stoqe ushtarake të gatshme për përdorim të mundshëm, apo 86 më shumë koka bërthamore sesa në janar të vitit paraprak.
Ky institut i pavarur tha se shtetet që kanë armë bërthamore janë: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kina, India, Pakistani, Koreja e Veriut dhe Izraeli.
Në raportin e këtij viti, SIPRI tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë mbi 1.000 koka bërthamore që më herët i kishin hequr nga përdorimi ushtarak dhe gradualisht janë duke u çmontuar.
Sa i përket Kinës, SIPRI tha se arsenali bërthamor i këtij shteti u rrit, nga 350 koka bërthamore sa kishte janar të vitit 2022, në 410 sa janë listuar në janarin e këtij viti. Sipas institutit, arsenali i Kinës pritet të rritet në vitet në vijim.
“Varësisht se si vendos të strukturojë forcat e saj, Kina potencialisht deri në fund të dekadës mund të ketë raketa balistike ndërkontinentale aq sa ka SHBA-ja ose Rusia”, u tha në raportin e SIPRI-t.
Instituti tha se kontrolli i armëve bërthamore dhe diplomacia e çarmatosjes kanë pësuar ngecje të mëdha pas nisjes së pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Uashingtoni ka pezulluar dialogun dypalësh strategjik me Rusinë dhe Moska në shkurt njoftoi se ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në traktatin bërthamor, New START.
Lejimi i inspektimeve në vendet ku mbahen armët dhe ofrimi i informacioneve për vendet ku dislokohen raketat ndërkontinentale dhe ato balistike për nëndetëse, por edhe testimi i tyre, janë komponentë kyçë të traktatit New START.
Ky traktat ishte nënshkruar më 2010 nga presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama, dhe ai rus, Dmitry Medvedev.
Megjithatë, sipas vlerësimit të SIPRI-t, dislokimi i forcave strategjike bërthamore të dy shteteve deri në janar të vitit 2023 është bërë bazuar në kufizimet e vendosura nën traktatin New START. /rel