RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

S’ka kuorum: Nuk ndryshon ligji për pensionet

s’ka-kuorum:-nuk-ndryshon-ligji-per-pensionet

Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum për miratimin në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji të propozuar nga AAK, opozita kërkoi heqjen e kushtëzimit 15 vjet për pensionistët kontribut pagues, ndërsa mazhoranca nuk e mbështeti.

Pro këtij projektligji ishin vetëm 22 deputetë, 31 të tjerë abstenuan, kështu nuk pati kuorum për votim.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Shemsedin Dreshaj, ka kërkuar largimin e nenit që sipas tij është i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët e viteve të ’90-ta të cilët ishin larguar dhunshëm nga institucionet shtetërore të vendit.

“Sot jemi këtu për të korrigjuar një padrejtësi, dhe një nismë legjislative për të cilën ka kohë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka iniciuar. Kjo iniciativë është marr bazuar në shqetësimet e qytetarëve dhe nga takimet e shumta që kemi pasur me ta… pra, në këtë kërkesë bëhet fjalë për plotësim ndryshimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti apo më konkretisht neni 8.2. prandaj kërkojmë largimin e këtij neni diskriminues të këtij ligji, i cili parasheh që secili kandidat që shkon pension kontribut dhënës duhet t’i ketë së paku 15 vjet para 1 janarit të vitit 1999. Me propozimin që kemi iniciuar parashihet që pensionet kontribut dhënëse t’i gëzojnë të gjithë pensionistët varësisht nga vitet para 1 janari të vitit 1999. Ju përkujtoj se kështu është në të gjitha vendet demokratike të perëndimit; sa punoni kontribuoni. Kemi raste që për 1 ditë apo për një javë janë pensionuar dhe nuk kanë pasur të drejtë që ta gëzojnë pensionin kontributdhënës meritor”, tha ai.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollqaku tha se komisioni përkatës i ka rekomanduar Kuvendit që të mos e përkrahë këtë nismë ligjore.

Megjithatë deputetja nga Vetëvendosje nuk e përkrah ndryshimin e këtij ligji në këtë formë.

“Nuk është që nuk është përkrahur, mirëpo mendojmë që nuk mund të zgjidhet kjo çështje në këtë formë, por kjo zgjidhje duhet të bëhet në kuadër të reformës pensionale dhe të skemave sociale, sepse Kosova nuk ka sistem pensional. Megjithatë, kjo patjetër që duhet të zgjidhet, por ashtu siç duhet nga qeveria aktuale e cila tashmë është duke bërë reformën pensionale. Kjo është arsyeje që ne nuk e përkrahim vetëm në këtë formë që është paraqitur dhe konsiderojmë si jo të sinqertë”, tha ajo.

Deputeti nga PDK-ja, Bekim Haxhiu tha se propozimi nga GP i AAK-së është me vend, i cili sipas tij eliminon një pabarazi dhe një diskriminim të madh që ka ndodhur në vitet e fundit.

“Duke u rritur dhe ndërtuar shteti ynë, duke pasur edhe financa stabile është menduar edhe për pensionistët kontribut pagues. Sot është një momentum ku këtë pabarazi mundemi me ndryshuar”, tha ai.

Deputeti nga LDK-ja Armend Muja tha se nenet e ligjit aktual janë diskriminuese dhe ofenduese.

“Të punësuarit e viteve të ’90-ta që janë larguar dhunshëm ose që nuk janë bërë pjesë e masave të dhunshme nuk mund të gëzojnë një të drejtë e cila po iu mohohet në mënyrë jo demokratike në shtetin e tyre për të cilin ata kanë punuar”, tha ai.

Në fund ka reaguar, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila.

“U theksua këtu disa herë që po shpërblehen ata që kanë punuar me sistemin apo me regjimin okupues serb, ndërsa sanksionohen ata të tjerët. Po bre, por deri sot ka ndodhë e njëjta. Kthehuni në referencë gjithmonë ku kanë qenë subjektet e juaja nëse e kanë pasur si prioritet”, tha ajo.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca mbylli punimet e seancës së sotme dhe bëri të ditur se e njëjta do të vazhdojë javën e ardhshme.

“60 deputetë kemi mbetur veç, shihemi javën e ardhshme”, tha ai.

Related posts

Prishi marrëveshjen e bashkëpunimit me aleatët e qeverisë, jep dorëheqjen Ministri i Parë i Skocisë

admin

Morawiecki: Kujtoni Luftën e Dytë Botërore që të mos përsëriten gabimet me Ukrainën

admin

Presidenti Erdoğan i bën thirrje Izraelit të heqë dorë nga “ambiciet ekspansioniste”

admin