RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Skandal: Vuçiq, Vulin dhe Dodik festojnë me këngë nacionaliste derisa në Kosovë vazhdojnë gërmimet për varreza masive

skandal:-vuciq,-vulin-dhe-dodik-festojne-me-kenge-nacionaliste-derisa-ne-kosove-vazhdojne-germimet-per-varreza-masive

Një video e publikuar në rrjetet sociale shfaq presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së bashku me Aleksandar Vulin, dhe presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, si dhe figura të tjera politike serbe, teksa në ambient dëgjohet një këngë me përmbajtje nacionaliste që lidhet me narrativën e të ashtuquajturës “botë serbe”, një projekt politik që në vazhdimësi ka ngritur shqetësime në rajon për shkak të aspiratave të tij integruese mbi baza etnike.

Në pamjet e shpërndara shihet tavolina ku janë ulur disa prej figurave më të larta politike të Serbisë dhe aleatëve të saj në rajon, ndërsa kënga e interpretuar përmban vargje që flasin për bashkimin e serbëve përtej kufijve ekzistues dhe heqjen e kufijve mes tyre.

Teksti i këngës, i përkthyer në shqip, thotë: “Do t’ia ruajmë shpinën njëri-tjetrit, Mes nesh nuk duhet të ketë kufij, Një popull, një shpirt, dëgjohet e njëjta lutje, Me tre gishtat nis gjithçka për ne…” Prania e Vuçiqit, Vulin dhe Dodikut në një ambient ku interpretohet një këngë e tillë ka rikthyer në vëmendje retorikën nacionaliste që shoqëron konceptin politik të “botës serbe”, një ide e promovuar në vazhdimësi nga figura politike në Beograd dhe përfaqësues serbë në Republikën Serbe ne BeH.

Këto pamje vijnë në një kohë kur autoritetet e Kosovës kanë identifikuar lokacione të dyshuara për varreza masive në fshatrat Kalludër dhe Jabukë të komunës së Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se lidhen me personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Gërmimet në këto lokacione kanë vazhduar prej ditësh, ndërsa institucionet e Kosovës dhe ekipet hetimore po punojnë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe identifikimin e mbetjeve të gjetura.

Çështja e të pagjeturve dhe krimeve të luftës vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Pavarësisht zhvillimeve në terren, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nuk ka bërë asnjë deklaratë publike lidhur me gjetjen e mbetjeve mortore në Zubin Potok, as për procesin e gërmimeve dhe identifikimit të tyre dhe nuk ka adresuar çështjen e përgjegjësisë për krimet e luftës.

Related posts

Pentagoni: Ukraina mund të hedhë raketa amerikane në Rusi, sa herë që sulmohet

admin

OKB paralajmëron për përkeqësim të nevojave humanitare në Palestinë mes agresionit izraelit dhe dhunës së kolonëve

Muhamet Ramadani

Kurti publikon fotografi të reja nga vendi i rrëmbimit të policëve, kërkon reagimin e ndërkombëtarëve

admin