Të paktën 134 persona kanë vdekur nga epidemia e kolerës në Somali që nga janari, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e vendit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të ministrisë thuhet se gjatë këtij viti janë zbuluar 16.231 raste të kolerës, e cila është shkaktuar kryesisht nga vështirësitë në aksesin e materialeve higjienike dhe reshjet dhe përmbytjet.
“Fatkeqësisht, këtë vit janë regjistruar 134 vdekje nga kolera, gjë që tregon seriozitetin e epidemisë”, tha ministria.
Në deklaratë po ashtu thuhet se në gjithë vendin, kundër epidemisë janë vaksinuar 920.913 persona.
Vitin e kaluar në Somali ishin regjistruar rreth 18 mijë raste të kolerës, prej të cilëve 46 njerëz kishin humbur jetën, më shumë se gjysma e të cilëve ishin fëmijë nën moshën 5 vjeç.