Gjatë ditës së sotme edhe zyrtarisht skadon afati i vendimit i shtyrë edhe për dy javë, për lirimin e objekteve të komunës së Mitrovicës së Veriut, nga institucionet që funksionojnë nën sistemin e Qeverisë së Serbisë.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq ka theksuar se lirimi i këtij objekti do të ndodhë përfundimisht më 8 Shtator, pa shtyrje të mëtutjeshme.
Komuna e Mitrovicës Veriore, me anë të një vendimi kishte kërkuar që të bëhet lirimi i një objekti komunal, që aktualisht është në shfrytëzim nga institucionet e Serbisë.
E ky vendim i autoriteteve lokale në Mitrovicën e Veriut, kishte ngjallur reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Për vendimin e Atiq pati reaguar Bashkimi Evropian, duke vlerësuar se roli i kryetarëve aktualë në komunat veriore të vendit është administrativ dhe vendimet e tilla ndikojnë në rritjen e tensioneve në veri të vendit.
Kundër këtij vendimi doli Lista Serbe. Kjo parti njoftoi ditë më parë se katër institucionet serbe nuk do të largohen nga objekti në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, që sipas autoriteteve lokale i përket kësaj komune.