RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Spanja do të rihapë ambasadën në Teheran pas armëpushimit SHBA-Iran

spanja-do-te-rihape-ambasaden-ne-teheran-pas-armepushimit-shba-iran

Spanja do të rihapë ambasadën e saj në Teheran për të mbështetur përpjekjet drejt një zgjidhjeje paqësore pas armëpushimit të arritur së fundmi midis SHBA-së dhe Iranit, ka thënë sot ministri i Jashtëm Jose Manuel Albares, transmeton Anadolu.

Albares ka thënë se ka udhëzuar ambasadorin e Spanjës në Iran, Antonio Sanchez-Benedito, të kthehet në Teheran dhe të rifillojë operacionet diplomatike pasi ambasada ishte mbyllur përkohësisht më 7 mars, njofton gazeta “El Pais”.

Duke folur pas mbërritjes në Kongresin spanjoll, Albares ka thënë se vendimi pasqyron “situatën e re” të krijuar nga marrëveshja dyjavore e armëpushimit. Ai ka deklaruar se ka biseduar të mërkurën me homologun e tij iranian, Abbas Araghchi, për ta informuar për këtë veprim, duke shtuar se ky hap vë në pah përkushtimin e Madridit për të kontribuuar në përpjekjet për paqe.

Albares gjithashtu ka zhvilluar bisedime me disa homologë rajonalë, përfshirë ministrat e jashtëm të Omanit, Katarit, Bahreinit, Kuvajtit si dhe të Libanit.

Në një telefonatë me ministrin e Jashtëm të Libanit, Youssef Raggi, ai shprehu mbështetjen e Spanjës përballë asaj që e përshkroi si sulme izraelite “brutale dhe pa dallim” ndaj Libanit, duke i quajtur ato “një turp për ndërgjegjen e gjithë njerëzimit”.

I pyetur për një lajm në “Wall Street Journal” se SHBA-ja mund të shqyrtojnë mbylljen e bazave ushtarake në vendet që nuk kanë mbështetur veprimet e saj, përfshirë Spanjën dhe Gjermaninë, Albares tha se nuk ka informacion për këtë çështje.

Ai tha se kontaktet dypalëshe me Washingtonin lidhur me përdorimin e bazave ajrore Rota dhe Moron janë në vazhdim dhe se të dy objektet po funksionojnë “plotësisht normalisht”.

Irani dhe SHBA-ja njoftuan një armëpushim dyjavor të martën, me qëllim hapjen e rrugës për një marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Washingtoni dhe Izraeli kundër Teheranit më 28 shkurt, e cila ka lënë shumë të vrarë dhe të plagosur.

Njoftimi erdhi më pak se dy orë para skadimit të një afati që presidenti amerikan Donald Trump e kishte shtyrë vazhdimisht për Iranin që të rihapte Ngushticën e Hormuzit dhe të pranonte një marrëveshje, ose të përballej me atë që ai e përshkroi si “shkatërrimin e një civilizimi të tërë”.

Related posts

Presidenti Erdoğan takohet me kryeministrin izraelit, Netanyahu në New York

Muhamet Ramadani

“Mbi 9.300 të mitur palestinezë të ndaluar nga Izraeli nga viti 2015”

admin

Peja dhe Gjakova mbeten pa rrymë si shkak i borës dhe erërave të forta

Muhamet Ramadani