Një zhvillim dramatik që po shoqërohet dhe me teori konspirative
Orë dramatike po ndodhin në jugun e Spanjës, aty ku ndodhet dhe kufiri i vetëm tokësor mes Europës dh Afrikës.
Qindra migrantë që po qëndronin brenda pikës kufitare Tarajal në Spanjë, e cila po monitorohej nga Garda Civile, arritën të shpëtonin. Kjo pasi rreth dy mijë sosh hynë nga deti dhe çanë kufirin e enklavës autonome spanjolle në Afrikën e Veriut, qytetit të Ceutës, me Marokun.
Të paktën 18 migrantë humbën jetën duke u përpjekur të kalonin kufirin ndërsa përpoqën të hynin në territorin spanjoll.
Sipas mediave spanjolle, turmat arritën të hynin në Ceuta, gjë që i shtyu autoritetet spanjolle të vendosnin ushtrinë, Gardën Civile dhe shërbime të tjera të sigurisë dhe të shpallnin gjendjen e jashtëzakonshme.
Edhe pse situata dukej se po qetësohej, shërbimet spanjolle të inteligjencës po paralajmërojnë se një valë e re migrantësh mund të pasojë në ditët në vijim. Sipas informacionit të tyre, qindra njerëz në Marok po përgatiten të udhëtojnë për në Ceuta, ndërsa shërbimet e sigurisë po i bëjnë thirrje Rabatit të forcojë kontrollet kufitare.
Një nga arsyet për rritjen e ndjeshme të përpjekjeve për kalim kufitar, sipas mediave spanjolle, është vendimi i Gjykatës së Lartë i 8 korrikut, i cili përcaktoi se migrantët e kapur në det nuk mund të kthehen sipas një procedure urgjente. Informacioni rreth këtij vendimi u përhap shpejt në rrjetet sociale në Marok, gjë që inkurajoi më shumë njerëz të provonin kalimin.
Në të njëjtën kohë, ka spekulime në Spanjë se arsyet politike fshihen edhe pas presionit të migrantëve. Midis tyre është vizita e fundit e kryeministrit Pedro Sanchez në Algjeri, e cila mund të dëmtojë më tej marrëdhëniet me Marokun, megjithëse Madridi zyrtar e hedh poshtë një mundësi të tillë.
Disa analistë përmendin gjithashtu kandidaturën për Kupën e Botës 2030, e cila do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku. Mediat spanjolle raportojnë se skenat e kaosit në Ceuta mund të dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Spanjës në një kohë kur ka një luftë për organizimin e ndeshjes finale të kampionatit, shkruan El Confidencial. /tesheshi.com/

