RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Spanja po planifikon skemën e vizave të “nomadëve dixhitalë” për të tërhequr njerëzit që punojnë në distancë

spanja-po-planifikon-skemen-e-vizave-te-“nomadeve-dixhitale”-per-te-terhequr-njerezit-qe-punojne-ne-distance

Kjo skemë përfshin lehtësime tatimore dhe u ofron britanikëve dhe qytetarëve të tjerë nga vendet joanëtare të BE-së mundësinë për të qëndruar në Spanjë deri në pesë vjet

Spanja planifikon të ofrojë viza për “nomadët dixhitalë”, duke u dhënë britanikëve dhe qytetarëve të tjerë nga vendet joanëtare të BE-së mundësinë për të punuar nga ky vend plot diell dhe për të përfituar nga kostoja më e ulët e jetesës, duke përfshirë këtu edhe disa lehtësime tatimore.

Këto viza do t’u ofrohen njerëzve që punojnë në distancë për sipërmarrje, të cilat ndodhen jashtë territorit të Spanjës dhe për ata që fitojnë jo më shumë se 20% të të ardhurave të tyre nga kompanitë spanjolle.

Duke qenë se ligji nuk është miratuar, ka ende disa detaje që mbeten për t’u specifikuar, por deri tani pritet që viza (e cila në thelb është një leje qëndrimi) do të jetë fillimisht e vlefshme për një vit dhe do të mund të rinovohet për deri në pesë vjet, në varësi të rrethanave të aplikantit. Të afërmit e ngushtë, si për shembull bashkëshorti/ja ose fëmijët, do të kenë të drejtë që t’i bashkohen aplikantit për të jetuar me të në Spanjë.

Aplikantët duhet të vijnë nga vende që ndodhen jashtë Zonës Ekonomike Europiane, si dhe duhet të jenë në gjendje të demonstrojnë se kanë punuar në distancë për të paktën një vit. Ata duhet të kenë një kontratë pune ose, nëse punojnë në profesionet e lira, duhet të dëshmojnë se kanë qenë të punësuar rregullisht nga një kompani jashtë Spanjës.

Gjithashtu, ata duhet të vërtetojnë se do të kenë fitime të mjaftueshme për të përballuar jetesën në Spanjë, si dhe duhet të kenë një adresë në këtë vend. Nuk është ende e qartë nëse do të jetë nevoja që t’i nënshtrohen një kontrolli të historikut të tyre penal.

Për katër vitet e para, këta aplikantë do të tatohen me 15%, në vend të normës bazë standarde prej 25%.

Nëpërmjet këtij projektligji, Spanja u bashkohet 15 vendeve të tjera europiane që ofrojnë versione të ndryshme të vizave për nomadët dixhitalë. Secili shtet ka kushtet e tij për të përmbushur kriteret që duhen për të marrë një vizë të tillë.

Në Kroaci, për shembull, aplikantët duhet të fitojnë të paktën 2,300 € në muaj, në Estoni 3,500 €, në Islandë 7,100 €, ndërsa në Portugali vetëm 700 €. Mendohet se Spanja do të vendosë një shifër për të ardhurat minimale mujore prej rreth 2,000 €.

Greqia paraqiti një ligj për nomadët dixhitalë në tetor të vitit 2021, duke ofruar të drejtën e rezidencës nga një deri në tre vite. Aplikantët duhet të kenë të ardhura mujore prej 3,500 €.

Disa vende të tjera kërkojnë nga aplikantët që të kenë para rezervë në bankë – 5,500 euro në rastin e Republikës Çeke – përveç të ardhurave mujore të mjaftueshme. Disa vende madje kërkojnë edhe një sigurim shëndetësor privat.

Madridi, Valencia dhe Barcelona janë ndër qytetet më të preferuara për nomadët dixhitalë të BE-së, aq më tepër me Barcelonën që po përpiqet të favorizojë startup-et, pasi qyteti synon të bëhet një qendër teknologjike dhe të reduktojë varësinë e ekonomisë së tij nga turizmi.

“Është e lehtë të tërheqësh talentet. Barcelona është një qytet i vogël dhe me popullsi të dendur, dhe, për më tepër, është kozmopolite”, thotë Sacha Michaud, i cili bashkëthemeloi biznesin për dërgimin e ushqimeve Glovo në këtë qytet.

Stafi në Glovo është ndërkombëtar dhe, kështu, ashtu si dhe në startup-et e tjera të qytetit, gjuha që përdoret në këtë kompani është anglishtja.

Ligji për startup-et synon ta bëjë më të lehtë eksperiencën e sipërmarrësve me burokracinë famëkeqe të Spanjës. Aktualisht, nevojiten mesatarisht 20 deri në 30 ditë për të krijuar një kompani në Spanjë, krahasuar me një ditë që nevojitet në Holandë ose në Mbretërinë e Bashkuar.

Spanja u rendit e 30-ta në raportin e Bankës Botërore për “Të bërit biznes” në vitin 2020.

Mbulimi i shkëlqyer 4G, i cili është i përhapur pothuajse kudo në Spanjë, po bën që disa nga nomadët të zgjedhin të vendosen në zonat rurale, ku qeratë janë shumë të ulëta. Shpejtësia e internetit në Spanjë është ndër më të shpejtat në Europë, me 148 Mbps, pothuajse sa dyfishi i shpejtësisë së Mbretërisë së Bashkuar prej 75 Mbps.

Megjithatë, për banorët e qyteteve si Madridi dhe Barcelona, ​​një ndër efektet negative të kësaj nisme është fakti se nomadët dixhitalë rritin qeratë edhe për vendasit, pasi njerëzit që punojnë nga distanca për kompanitë në SHBA ose në Mbretërinë e Bashkuar mund të marrin paga shumë më të larta dhe, si rrjedhojë, mund të paguajnë qera më të larta se banorët vendas.

Sipas një raporti të publikuar këtë vit, paga mesatare mujore në Spanjë është 1,751 €, 20% më pak se mesatarja e BE-së prej 2,194 €. /monitor

Related posts

UNICEF-i: 6 milionë fëmijë të prekur nga tajfuni Yagi në Azinë Juglindore

RTI

Osmani pritet nga presidenti francez Macron

RTI

Rritet numri i të vdekurve në Turqi, 24,617 deri më tani – VIDEO

rezart morina