RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Spiropali në Greqi: Do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat e BE-së për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve

spiropali-ne-greqi:-do-te-vijojme-te-udhehiqemi-nga-vlerat-e-be-se-per-zgjidhjen-paqesore-te-mosmarreveshjeve

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se do të vijojnë të udhëhiqen nga vlerat thelbësore të Bashkimit Evropian (BE) dhe nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon, transmeton Anadolu.

Ministrja Spiropali është takuar me presidentin Greqisë, Konstantinos Tassoulas dhe ministrin e Jashtëm grek, George Gerapetritis, në kuadër të vizitës zyrtare në Athinë, ndërsa dy homologët kanë mbajtur edhe një deklaratë të përbashkët për mediat.

– “Shqipëria mbetet e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me kufirin”

Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Spiropali ka deklaruar se bashkëpunimi dypalësh midis dy vendeve mbështetet në dy shtylla të fuqishme, që sipas saj janë e sotmja e përbashkët në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe e nesërmja e përbashkët në Bashkimin Evropian.

“Shqipëria mbetet po ashtu e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me kufirin përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ku palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv.
Ne do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat thelbësore të BE-së, nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon”, ka deklaruar ajo.

Spiropali ka deklaruar se qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama e ka konsideruar dhe përcaktuar si strategjik partneritetin mes dy vendeve, sipas saj, që në programin e parë të qeverisë e në vijim.

“Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një traktat miqësie dhe me perspektivë të përbashkët evropiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e Dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq”, tha ajo.

Sipas njoftimit nga ministria, Spiropali u ndal edhe te aspektet historike ligjore dhe pronësore të qytetarëve dhe subjekteve shqiptare në Greqi, që sipas saj u trajtuan hapur në kuadër të dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit dypalësh.

– Kryediplomati grek: Me Shqipërinë bashkëpunojnë në kuadër të NATO-s dhe të organizmave rajonalë

Kryediplomati grek, George Gerapetritis, ka theksuar se Greqia dhe Shqipëria kanë lidhje shekullore.

“Besojmë fuqimisht se ne duhet të fokusohemi në ato që i bashkojnë dy popuj në interes të qëndrueshmërisë. Duhet të shikojmë drejt të ardhmes së marrëdhënieve tona. Minoriteti grek është hallka e pandashme lidhëse mes dy popujve tanë. Gjithashtu, një rëndësi të veçantë ka edhe kontributi i emigrantëve shqiptarë (në Greqi)”, tha ai.

Gerapetritis ka deklaruar se me Shqipërinë bashkëpunojnë në kuadër të NATO-s dhe të organizmave rajonalë. “Një nga çështjet që diskutuam sot ishte zgjerimi (i BE-së) që siç e dimë të gjithë është nevojë gjeopolitike”, tha kryediplomati grek.

Ai shtoi se Greqia qëndron konsekuente në pozicionimin e saj drejt konvergimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe shtoi se përshëndesin progresin e Shqipërisë për procesin e negociatave.

Ministrja Spiropali do vazhdojë edhe nesër vizitën në Greqi, ku do të takohet me zyrtarë të tjerë grekë.

Related posts

Kancelari gjerman dhe kryeministri britanik do të nënshkruajnë traktat të ri për të “reformuar” marrëdhëniet e tyre dypalëshe

admin

Bruksel, protestuesit pro-palestinezë thirrje universitetit për ndërprerjen e bashkëpunimit me kompaninë izraelite

RTI

I vihet zjarri një xhamie në Holandë

admin