Në Bashkimin Evropian e përsëritën kërkesën që përgjegjësit për sulmet e së dielës ndaj Policisë së Kosovës në veri të sillen para drejtësisë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, bëri thirrje që të zbardhen të gjitha faktet rreth asaj që ka ndodhur dhe të vërtetohet se kush i ndërmori ato, kush i organizoi dhe kush qëndron prapa tyre.
Bashkimi Evropian insiston se të gjithë përgjegjësit për sulmet terroriste ndaj Policisë së Kosovës, që ndodhën të dielën, duhet të nxirren para drejtësisë dhe kjo do të ndodhë pasi të zbardhen të gjitha faktet rreth asaj që ka ndodhur.
Këtë e ka thënë sot në Bruksel edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për rolin e EULEX-it në zhvillimet në Kosovë, si dhe në ndërmjetësimin e mundshëm mes autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë kur do të ketë nevojë për të nxjerrë para drejtësisë kryerësit e sulmeve, e që ndodhen në territorin e Serbisë.
“EULEX-i është në terren si reagues i dytë. Është i angazhuar me kërkesë të Policisë së Kosovës dhe bashkëpunimi deri më tash, mes Policisë së Kosovës dhe EULEX-it ka qenë shumë i mirë”, tha Stano.
Ai më tej ka thënë se komandanti i misionit të EULEX-it në Kosovë është në kontakt të përhershëm me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, dhe po informon rregullisht për të gjitha hollësitë në terren.
Zëdhënësi i BE-së ka përsëritur se hetimet po vazhdojnë, por nuk ka dilemë se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.
“Hetimet janë duke vazhduar, siç kemi thënë, dhe ato akoma nuk kanë përfunduar krejtësisht. Ato janë kryesisht në duart e Policisë së Kosovës dhe me kërkesë të Policisë së Kosovës mund të asistohen edhe nga EULEX-i dhe KFOR-i. Duhet të vërtetohet se kush i bëri këto sulme terroriste, kush i organizoi, kush qëndron prapa tyre dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Sa u përket përgjegjësisë, pandëshkueshmërisë, qëndrimi i BE-së është shumë i qartë… të gjithë përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë”, tha Stano.
Sipas zëdhënësit të BE-së, aktivitetet politike dhe diplomatike janë duke vazhduar. Ka pasur të hënën një takim të përfaqësuesit për dialog, Miroslav Lajçak, me zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca dhe Italia, ndërsa të hënën është dashur që Kosova të jetë temë edhe në një takim të përfaqësuesve të vendeve anëtare me Komitetin për Siguri dhe Politikë të BE-së.
Sipas zëdhënësit të BE-së, vendet anëtare janë duke u konsultuar mes vete dhe me zyrtarë të BE-së për të parë se cilët hapa duhet të merren në të ardhmen.