Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka mbrojtur idenë se lufta me Ukrainën është humbje strategjike për Rusinë dhe se presidenti rus Vladimir Putin e ka humbur përgjithmonë Ukrainën, transmeton Anadolu.
Stoltenberg në një deklaratë për Agjencinë gjermane të lajmeve (DPA) tha se situata në fushën e luftës është shumë e vështirë dhe se në javët e fundit në vijën e frontit nuk është shënuar ndonjë ndryshim.
“Por, duhet të kujtojmë se ku e kemi filluar. Kur e pushtoi Ukrainën më 24 shtator 2022, shumë njerëz kishin frikë se Rusia brenda disa ditësh do të merrte kontrollin mbi Kievin. Që nga ajo kohë e deri më tani ukrainasit kanë arritur të çlirojnë rreth 50 për qind të territoreve të pushtuara në fillim”, theksoi Stoltenberg duke shtuar se:
“Fituan beteja të mëdha në Kiev, Kharkiv dhe Kherson. Këto janë fitore të konsiderueshme ushtarake. Ukraina tregoi veten si një shtet sovran dhe i pavarur dhe gjatë këtij procesi i shkaktoi humbje të rënda Rusisë”.
– “Putin dëshiron një Evropë ku Rusia do të dominojë fqinjët e saj”
Lidhur me pyetjen për humbjet e Rusisë, Stoltenberg u përgjigj se: “Qëllimi u pushtimit në fjalë ishte të ndalohej përparimi i Ukrainës drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE). Putin dëshiron një Evropë ku Rusia do të dominojë fqinjët e saj, por Ukraina aktualisht është më afër se gjithmonë me NATO-n dhe BE-në”.
“Kjo për Rusinë është humbje e madhe strategjike. Presidenti Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonë. Krahas kësaj Rusia ka humbur qindra avionë, mijëra tanke dhe 300 mijë ushtarë të saj kanë humbur jetën ose janë plagosur. Rusia është izoluar edhe në aspektin politik dhe ekonomia e saj është dobësuar. Inflacioni po rritet dhe standardi i jetesës është në rënie”, tha kreu i NATO-s.
Stoltenberg tha se është treguar shumë i kujdesshëm në gjykimin e atyre që duke qëndruar ulur në Bruksel kanë marrë vendime shumë të vështira në fushën e betejës dhe lidhur me mos shënimin e ndonjë përparimi të rëndësishëm të Ukrainës në front.
“Ushtria ruse formoi fusha të mëdha me mina, hapi llogore. Kishte kohë për të ndërtuar vija të mbrojtjes të përgatitura mirë për tanket luftarake. Këto linja mbrojtëse janë të vështira për t’u depërtuar, sidomos nëse nuk keni një forcë ajrore që mund t’i mbështesë këto operacione”, tha ai.