Një studim i fundit ka dalë në përfundimin se numri i personave nën 50 vjeç në mbarë botën që janë diagnostikuar me kancer, është rritur me gati 80% në tre dekada.
Rastet globale të kancerit u rritën nga 1.82 milionë në 1990 në 3.26 milionë në 2019, ndërsa vdekjet nga kanceri të të rriturve në të 40-at, 30-at ose më të rinj u rritën me 27%. Më shumë se një milion persona nën moshën 50-vjeçare në vit po vdesin nga kanceri, zbulon hulumtimi.
Ekspertët janë ende në fazat e hershme për të kuptuar arsyet e rritjes së rasteve. Autorët e studimit, të publikuar në BMJ Oncology, thonë se dieta e dobët, përdorimi i alkoolit dhe duhanit, pasiviteti fizik dhe obeziteti mund të jenë faktorët që kanë ndikuar në rritjen e rasteve.
“Inkurajimi i një stili jetese të shëndetshëm, duke përfshirë një dietë të shëndetshme, kufizimin e konsumit të duhanit dhe alkoolit dhe aktivitetin e duhur në natyrë, mund të zvogëlojë barrën e kancerit të hershëm”, thuhet në studim.
Studimi i fundit, i udhëhequr nga Universiteti i Edinburgut në Skoci dhe Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Zhejiang në Hangzhou, Kinë, ishte i pari i këtij lloji që shqyrtoi çështjen në një shkallë globale dhe faktorët e rrezikut për të rriturit më të rinj.
Shumica e studimeve të mëparshme u fokusuan në dallimet rajonale dhe kombëtare. Në këtë studim global, studiuesit analizuan të dhëna nga 204 vende që mbulojnë 29 lloje të kancerit.
Ata studiuan rastet e reja, vdekjet, pasojat shëndetësore dhe faktorët e rrezikut kontribuues për të gjithë ata të moshës 14 deri në 49 vjeç për të vlerësuar ndryshimet midis 1990 dhe 2019.
Në vitin 2019, diagnozat e reja të kancerit te moshat nën 50 vjeç arritën në 3.26 milionë, një rritje prej 79% në krahasim me shifrën e vitit 1990. Kanceri i gjirit përbën numrin më të madh të rasteve dhe vdekjeve të shoqëruara.
Një total prej 1.06 milionë nën-50 vjeç vdiqën nga kanceri në vitin 2019, një rritje prej 27% në krahasim me shifrën e vitit 1990. Pas kancerit të gjirit, numri më i lartë i vdekjeve ishte i lidhur me kancerin e mushkërive, stomakut dhe zorrëve.