Një studiues i shquar palestinez i ka karakterizuar veprimet e Izraelit në Gaza si “gjenocid”, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme ndërkombëtare për të ndalur konfliktin në vazhdim.
Sami Al Arian, drejtor i Qendrës për Botën Islame dhe Çështjet Globale në Universitetin Sabahattin Zaim të Istanbulit, tha për Anadolu që Izraeli po zhvillon “një luftë shfarosjeje kundër popullit palestinez” në Gaza.
“Regjimi sionist në Palestinë po përpiqet të zgjidhë problemin e tij demografik sepse ata duan Izraelin e Madh, por gjithashtu duan të pretendojnë një shtet hebre dhe një shtet demokratik”, tha Arian.
Ai tha se veprimet e Izraelit që nga 7 tetori 2023, janë pjesë e një strategjie më të gjerë për ta bërë Gazën të pabanueshme dhe për të ngjallur frikë tek palestinezët. Duke theksuar se popullsia palestineze në Palestinën historike tani është më e madhe se ajo hebreje, studiuesi shtoi se ata duan të dëbojnë palestinezët nga Bregu Perëndimor dhe Gaza.
Arian nënvizoi rrethanat “si aparteidi” me të cilat përballen palestinezët, duke sfiduar pretendimin e Izraelit për të qenë një shtet hebre dhe demokratik.
– Lëvizjet studentore
Studiuesi vlerësoi rolin e lëvizjeve studentore, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, në sfidimin e status quo-së.
“Lëvizjet studentore kanë çuar gjithmonë në një ndryshim shoqëror në botë”, vuri në dukje Arian, duke theksuar se studentët kanë qenë gjithmonë ndërgjegjja e kombeve siç shihet në lëvizjen Black Power në SHBA dhe protestat kundër aparteidit në Afrikën e Jugut.
Ai tha se ndikimi i rëndësishëm i lobeve pro-izraelite në politikën, median dhe financimin e SHBA-së, është një forcë kryesore prapa shtypjes së zërave propalestinezë.
Pavarësisht vështirësive të vazhdueshme, Arian theksoi qëndrueshmërinë e popullit palestinez. “Palestinezët refuzojnë t’i nënshtrohen këtij programi të shfarosjes, të gjenocidit. Ata janë të palëkundur”, tha ai, duke parashikuar rezistencë të vazhdueshme derisa të arrijnë lirinë, pavarësinë dhe vetëvendosjen.
Arian përfundoi me një thirrje për veprim global për të “ndaluar këtë çmenduri që po ndodh sot në Gaza”, duke pohuar se një regjim që synon civilët nuk mund të mbahet në një botë të drejtë.
Sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë 40.602 palestinezë dhe kanë plagosur 93.855 të tjerë që nga 7 tetori.