Ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë, Tobias Billström, ka deklaruar se është siguruar përparim në bisedimet e NATO-s të kryera me Turqinë dhe se së shpejti ai do të vizitojë Turqinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Për televizionin shtetëror ‘SVT’ të vendit të tij, Billström vlerësoi takimin e zhvilluar dje me homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu dhe atë finlandez, Pekka Haavisto, në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s.
“Është siguruar përparim në bisedimet e NATO-s. Këtë e miratuan dje edhe kolegët e tjerë që biseduam në Bukuresht. Së shpejti do të vizitoj Turqinë dhe do të takohem me ministrin e jashtëm Çavuşoğlu. Aty do të gjejmë mundësinë që të diskutojmë shumë çështje. Edhe këtë takim e pres me padurim”, theksoi Billström.
Duke u shprehur se nuk e di se kur Turqia do të miratojë anëtarësimin e Suedisë në NATO, Billström tha se, “Do të ishte e gabuar të tregohet një afat kohor fiks. Por ajo që doli nga takimi i djeshëm në Bukuresht, teksa arrihet përparim, parlamenti i Turqisë mund të arrijë në një pikë që do të miratojë anëtarësimin e Suedisë në NATO”.