Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB) njoftoi se persona të armatosur vranë 40 persona dhe mbi 100 të tjerë plagosën gjatë të shtënave në një sallë koncertesh pranë Moskës, raporton Anadolu.
“Sipas të dhënave paraprake, si rezultat i sulmit terrorist në kompleksin Crocus City Hall, 40 njerëz u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën”, tha FSB, pasi disa persona të armatosur hynë në ndërtesë në rajonin e Moskës.
Incidenti ndodhi në Krasnogorsk, një nga qendrat administrative të rajonit të Moskës, ku grupi muzikor Picnic po performonte në Crocus City Hall, sipas informacioneve paraprake. Artistët nuk u lënduan në sulm, thanë autoritetet ruse.
Më vonë u raportua edhe një shpërthim në vendngjarje, duke shkaktuar një zjarr të madh. Ministria ruse e Emergjencave tha se rreth një e treta e ndërtesës ishte përfshirë nga flakët, ndërsa disa helikopterë po punonin për shuarjen e flakëve.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm rus tha se personat e paidentifikuar hapën zjarr përpara fillimit të koncertit, ndërsa një komitet hetimor që hapi një çështje penale pas incidentit.
Fati i personave të armatosur mbetet i panjohur, ndërsa disa raporte thonë se ata kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes.
Mbi 100 njerëz deri më tani janë evakuuar nga ndërtesa, shtoi ministria, me më shumë njerëz që presin ndihmë në çati.
Forcat speciale të Moskës, policia dhe zjarrfikësit nxituan në vendngjarje, ku janë mbledhur më shumë se 50 ambulanca, tha Ministria e Shëndetësisë.
Andrey Vorobyov, guvernatori i rajonit të Moskës, njoftoi se do të ngrihej një grup pune për të adresuar situatën.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergey Sobyanin, shprehu ngushëllimet për të dashurit e të vrarëve dhe të plagosurve në sulm.
“Një tragjedi e tmerrshme ka ndodhur sot në Crocus City Hall. Më vjen keq për të dashurit e viktimave. Unë kam dhënë urdhër që të gjithë të lënduarit gjatë incidentit t’u ofrohet e gjithë ndihma e nevojshme”, tha ai.
Sobyanin njoftoi gjithashtu se të gjitha ngjarjet argëtuese në Moskë u anuluan gjatë fundjavës.