Një tjetër tentim vjedhjeje është raportuar në një xhami në Kamenicë, duke ngritur dyshime për një seri rastesh të njëpasnjëshme që kanë ndodhur në këtë zonë.
Ngjarja ka ndodhur më 5 prill në fshatin Topanicë, ku është vërejtur se kasaforta e xhamisë është hapur me forcë dhe është dëmtuar me mjete të forta.
Siç mëson Sinjali, imami i xhamisë, M. Kqiku, ka raportuar rastin pasi ka konstatuar dëmtimet në kasafortë, mirëpo në këtë rast i dyshuari nuk ka arritur të përvetësojë asgjë.
Rasti është denoncuar në polici, ndërsa menjëherë është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vjedhje e rëndë në tentativë”.
Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa rasti i është deleguar njësive përkatëse për hetimin e krimeve.

