RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Sulmi në kanalin e “Ibër-Lepencit” – sot nis gjykimi

sulmi-ne-kanalin-e-“iber-lepencit”-–-sot-nis-gjykimi

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot do të fillojë gjykimi ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët akuzohen për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit” në Varagë të Zubin-Potokut, që ndodhi më 29 nëntor të 2024-tës.

Javë më parë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me policinë dhe partnerët evropianë, ka ngritur aktakuzë ndaj J.V., D.V., dhe I.D për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, dhe “Spiunazh”.

Sipas aktakuzës, më 29 nëntor, në fshatin Varagë, në pjesën e kanalit “Ibër-Lepenc”, të pandehurit J.V dhe D.V, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshjeje paraprake, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv, të llojit trinitrotoluene, në brendësi të kanalit.

J.V. dhe D.V., akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante, të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh.

Dy të pandehurit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, së bashku edhe me të akuzuarin tjetër I.D.

Ndërsa, i pandehuri J.V, akuzohet edhe për veprën penale “Spiunazhi”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit si toger në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara, me qëllim që të njëjtat t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

Related posts

Osmani e informon presidentin gjerman rreth dialogut Kosovë-Serbi

admin

Urdhërarrest ndërkombëtar për kryerësit e masakrës së Reçakut

admin

Zelenskyy: Rezultatet në vijën e parë të frontit, rëndësi kyçe për diplomacinë e Ukrainës

Muhamet Ramadani