RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Susan Sarandon: S’mund të heshtja për gjenocidin në Gaza, pavarësisht pasojave

susan-sarandon:-s’mund-te-heshtja-per-gjenocidin-ne-gaza,-pavaresisht-pasojave

Aktorja e njohur amerikane është përjashtuar nga shumë projekte për shkak të qëndrimit të saj

Në prag të 80-vjetorit, Susan Sarandon rikthehet në ekran me filmin “The Echo Chamber“ të regjisorit Andrea Pallaoro, që do të prezantohet në konkurs në Festivalin e Venecias.

Në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica, aktorja flet për kinemanë, lirinë dhe karrierën e saj të gjatë, por edhe për pasojat që ka pësuar në Hollywood për shkak të qëndrimit të saj publik ndaj luftës në Gaza.

Filmi i ri ka një domethënie të veçantë për Sarandon, pasi bazohet në projektin e fundit që Bernardo Bertoluçi kishte nisur të shkruante para vdekjes së tij në vitin 2018. Aktorja e kishte njohur regjisorin italian dhe e kujton atë me admirim të madh.

“Kur më thanë se ky ishte filmi i fundit që Bernardo donte të realizonte, u ndjeva shumë e privilegjuar, e nderuar dhe e emocionuar”, thotë ajo.

Për Sarandon, filmi “Il conformista” ishte vepra që i tregoi për herë të parë se deri ku mund të arrinte arti kinematografik. “Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë. Pamjet ishin aq moderne dhe të bukura. Mbetet një kryevepër”, thekson ajo.

Në “The Echo Chamber”, Sarandon interpreton Ava-n, një këngëtare e famshme që admirohet nga protagonisti i filmit. Personazhi është frymëzuar pjesërisht nga Marianne Faithfull dhe i ka dhënë aktores mundësinë të provojë një rol krejt ndryshe nga ata që kishte interpretuar më parë.

Megjithatë, larg skenës së kinemasë, Sarandon po përballet me një realitet shumë më të vështirë. Qëndrimet e saj publike kundër luftës së Izraelit në Gaza i kanë kushtuar shtrenjtë në karrierë.

Aktorja u nda nga agjencia e saj e fuqishme UTA dhe, sipas saj, vazhdon të përjashtohet nga projekte të ndryshme në industrinë amerikane të filmit.

Ajo nuk e fsheh se prishja e bashkëpunimit pas rreth dhjetë vitesh ka pasur pasoja të rënda. “Vazhdoj të jem e përjashtuar nga shumë projekte”, pranon Sarandon, por shton se kjo përvojë i ka dhënë mundësinë të vinte në provë bindjet e saj morale.

“Nuk mund të qëndroja në heshtje përballë një gjenocidi, përballë vrasjes së fëmijëve. Unë, si nënë dhe si qenie njerëzore, nuk u mendova dy herë”, thotë aktorja. Për të, vendimi për të folur nuk ishte një zgjedhje e lehtë nga pikëpamja profesionale, por ishte një detyrim moral që nuk mund ta shmangte.

Sarandon e konsideron këtë përvojë edhe si një provë të kufijve të lirisë në Hollywood. Sipas saj, njeriu nuk e kupton vërtet nëse është i lirë apo jo, derisa të kalojë një kufi dhe ta vërë atë liri në provë.

Ajo beson se përgjegjësia për klimën e krijuar në industrinë amerikane nuk duhet kërkuar vetëm te artistët që pësojnë pasojat, por te njerëzit që marrin vendimet për përjashtimin e tyre.

“Unë e di se cili është qëndrimi im”, thotë Sarandon. “Secili ka momentin e vet të së vërtetës dhe duhet të vendosë se çfarë është më e rëndësishme në jetën e tij dhe si dëshiron të jetojë me veten. Kjo është më e rëndësishme se një karrierë”, thekson aktorja.

Përgjigjja e saj tingëllon si një përmbledhje e gjithë filozofisë që ka ndjekur gjatë jetës publike. Sarandon ka qenë gjithmonë një nga figurat më të pavarura të Hollywood-it dhe nuk ka ngurruar të marrë qëndrime politike, edhe kur ato kanë qenë në kundërshtim me klimën dominuese në industrinë e filmit.

Karriera e saj mori hov në vitin 1975 me “The Rocky Horror Picture Show“, një film që me kalimin e dekadave është kthyer në një fenomen të vërtetë kulturor. Sipas Sarandon, forca e tij qëndron te mesazhi i pranimit dhe lirisë për të qenë vetvetja.

Aktorja thotë se ka takuar vazhdimisht njerëz që i kanë treguar se filmi u kishte ndryshuar jetën. Disa i kanë shkruar se ai u dha kurajën të pranonin veten, ndërsa të tjerë i kanë thënë se filmi u krijoi ndjesinë e një vendi ku më në fund ndiheshin të pranuar.

Një ndikim të ngjashëm ka pasur edhe “Thelma & Louise”, një tjetër prej filmave që kanë shënuar karrierën e saj. Sarandon kujton se ka marrë letra nga njerëz që i kanë thënë se ky film i kishte ndihmuar të largoheshin nga situata të dhunshme ose shtypëse.

Pas një karriere prej më shumë se pesë dekadash, ajo është e vetëdijshme për çmimin që mund të ketë një qëndrim publik. Por nuk duket e gatshme të tërhiqet. Për të, në fund, asnjë sukses në Hollywood nuk vlen më shumë se bindjet personale dhe mundësia për të jetuar pa tradhtuar ndërgjegjen e vet. /tesheshi

Related posts

Përfundon takimi tripalësh në Bruksel, çfarë u bisedua

admin

Qeveria franceze nuk gjen qetësi, protestat masive mbyllin biznese e shkolla

admin

Lëvizja Xhihadi Islamik: “Nuk do të heqim dorë nga lufta kundër Izraelit”

Muhamet Ramadani