Trembëdhjetë avionë të forcave ajrore kineze shkelën hapësirën ajrore të ngushticës së Tajvanit, tha më 13 gusht, ministria e Mbrojtjes e Tajvanit.
Një ditë më herët, Tajvani bëri të ditur se dhjetë avionë kinezë kaluan përgjatë ngushticës së ishullit.
Forcat ajrore të Kinës kanë fluturuar në mënyrë të përsëritur përtej linjës ndarëse ajrore gjatë javës së kaluar si pjesë e stërvitjeve ushtarake të organizuara pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi në ishullin e pretenduar nga Kina, vizitë të cilën Pekini e kundërshtoi ashpër.
Kina ka thënë se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe se nuk do të tolerojë “veprimtaritë separatiste” në ishull, duke kërcënuar se do ta aneksoj me forcë nëse është e nevojshme.
Ministri i Jashtëm tajvanez, Joseph Wu, ka thënë më 9 gusht se Kina është duke shfrytëzuar stërvitjet ushtarake si “përgatitje për pushtim të Tajvanit”.
Edhe Tajvani ka nisur stërvitjet e veta ushtarake të enjten.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë më 8 gusht se është i shqetësuar për veprimet e Kinës, por ka shtuar se “nuk besoj se ata do të bëjnë diçka më shumë sesa janë duke bërë”.
Raportet mes Kinës dhe Tajvanit
Pse Kina dhe Tajvani kanë marrëdhënie të tensionuara?
Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile më 1940, mirëpo Pekini insiston se ishulli do t’i kthehet dikur.
Si qeveriset Tajvani?
Ky ishull ka Kushtetutën e vet, liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe rreth 300.000 trupa aktive ushtarake në mesin e forcave të armatosura.
Kush e njeh Tajvanin?
Vetëm pak shtete. Shtetet e Bashkuara nuk kanë lidhje zyrtare me Tajvanin, mirëpo kanë një ligj që parasheh dërgimin e mjeteve që i duhen ishullit për ta mbrojtur veten. /rel