RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Takimi i nivelit të lartë në Ohër

takimi-i-nivelit-te-larte-ne-oher

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot takon presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në Ohër. Takimit të përbashkët do t’u paraprijnë takimet ndaras me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Në takim, në cilësinë e vëzhguesit do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Takimi do të ketë fokus Propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe do të fillojë nga ora 10:00. Në orën 10:30 parashihet që Vuçiqi të takohet me Borrellin, kurse me Kurtin, Borrelli do të takohen në 11:30.

Zyrtarët ndërkombëtarë patën thënë pas takimit në Bruksel në shkurt se palët ishin pajtuar për përmbajtjen e propozimit.

Kurti ka thënë se Kosova është e përkushtuar që takimi në Ohër të jetë i suksesshëm. Kurse, Vuçiq është shprehur se nuk do të nënshkruajë asgjë.

SHBA-ja është shprehur optimiste me zotimin se të dyja shtetet do të përfitojnë nëse nënshkruajnë marrëveshje. E, BE-ja ka thënë se është një shans unik që Kosova dhe Serbia të ecin përpara dhe të bëjnë përparim në normalizimin e raporteve.

Propozimi evropian, që Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

Related posts

UNHCR: Mbi 108 milionë njerëz u zhvendosën me forcë në mbarë botën në vitin 2022

admin

Gjermani, mijëra mjekë në grevë për shkak të mosmarrëveshjes së fundit për pagat

admin

Evropa ka mungesë të kontrollorëve të trafikut ajror

admin