Deputeti demokrat Luçiano Boçi është tallur paq me “barazinë gjinore”, ligjin tejet të diskutuar që sapo është miratuar nga mazhoranca, si dhe me ata që e votuan atë.
Teksa nisi të drejtonte Komisionin e Edukimit, ai prezantoi të ftuarit, mes tyre dhe Delina Ibrahimajn e cila do të raportonte në lidhje me Arsimin Profesional, por deputeti demokrat nuk zgjodhi t’i drejtohej vetëm me emër dhe mbiemër pa “zonjë” para.
Sipas tij, duke mos përcaktuar asnjë term të tillë, shmang të gjitha akuzat ndaj vetes.
“Mirë se erdhët, përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për Arsimin Profesional. Në këtë dëgjesë të Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet janë Delina Ibrahimaj, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, Albin Gega, Klevis Hysa, Alma Veterniku, Violeta Cara.
Një sqarim të vogël: nëse e vutë re, nuk kam asnjë qëllim negativ. Nuk iu drejtova me cilësimin ‘zonja’ apo ‘zoti’ sepse jemi në një realitet të ri pas miratimit nga ana juaj të ligjit për barazinë gjinore.
Sipas ligjit tuaj, përcaktimet me ‘zoti’ apo ‘zonja’, janë terma me ndjeshmëri të lartë gjinore dhe nuk dua të marr ndonjë akuzë se sipas ligjit barra e provës është dhe tek unë.
Kjo është e vërteta e ndikimit të një ligji që ne e kemi kundërshtuar, që nuk është sqaruar në opinionin publik që ka impakte në edukim, shkencë, universitete, shoqëri, ka ndikime financiare në buxhetin e shtetit. Kjo është e vërteta”, arsyetoi Boçi. /tesheshi

