Përderisa të afërmit e të burgosurve izraelitë në Gaza dhe demonstruesit antiqeveritarë mbanin protesta në të gjithë vendin duke kërkuar kthimin e të burgosurve, një grup protestuesish bllokuan për trafik autostradën Ayalon, arteria kryesore e kryeqytetit Tel Aviv, transmeton Anadolu.
Sipas gazetës “Haaretz”, të afërmit e të burgosurve izraelitë thanë se kryeministri Benjamin Netanyahu i braktisi ata që mbaheshin në Gaza. Të afërmit e të burgosurve në autostradën Ayalon, të cilën e mbyllën për trafik shkruajtën me bojë “300 ditë braktisje”.
Duke folur për “Haaretz”, Einav Zangauker tha se djali i tij Matan ishte mbajtur në Gaza për 300 ditë me 114 të burgosur izraelitë “për shkak të shtyrjes së përsëritur të një marrëveshjeje nga Netanyahu”.
Zangauker theksoi nevojën për një marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve që do të mundësonte kthimin e të afërmve të tij.
Motra e Matanit, Natalie Zangauker, e cila mbahej rob në Gaza, shkroi gjithashtu “Ndaloni sabotimin” me bojë në mbikalimin në autostradën Ayalon, duke i bërë thirrje qeverisë së Netanyahut të nënshkruajë marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve sa më shpejt të jetë e mundur.
Policia izraelite arrestoi një nga protestuesit.
– Ata janë të shqetësuar se atentatet do të dëmtojnë procesin e negociatave me Hamasin
Shlomi Berger, babai i Agam Berger, i cili mbahet rob në Gaza, tha se ai dhe të afërmit e tjerë të të burgosurve janë të shqetësuar se atentatet do të dëmtojnë procesin e negociatave me Hamasin.
Duke folur për kanalin radiofonik FM 103 të lidhur me gazetën “Maariv”, Berger tha: “Familjet e të burgosurve shpresojnë se kjo (vrasje) nuk do të dëmtojë procesin e negociatave dhe nuk do të shkaktojë ndonjë ndërprerje të marrëdhënieve me Hamasin”.
Derisa negociatat mes Hamasit dhe Izraelit vazhdojnë përmes ndërmjetësuesve, qeveria e Tel Avivit akuzohet për vonimin e marrëveshjes, vrasjen e më shumë civilëve në Gaza dhe rrezikimin e jetëve të të burgosurve.
Partnerët e koalicionit të Netanyahut, lideri i Partisë së Fuqisë Hebraike dhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe kreu i Partisë së Sionizmit Fetar dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, kanë kërcënuar se do të largohen nga qeveria nëse arrihet marrëveshje me Hamasin.