RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit në pritje të vendimit

te-akuzuarit-per-vrasjen-e-marigona-osmanit-ne-pritje-te-vendimit

Gati dy vjet pas vrasjes së Marigona Osmanit, të premten, më 4 gusht, në Gjykatën Themelore të Ferizajt do të shpallet aktgjykimi ndaj dy të dyshuarve kryesorë për vrasjen e saj, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiut.

Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa dyshohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen për një sërë veprash penale përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Aktakuza thotë se Sejdiu, me dashje kishte ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit. Ai akuzohet se edhe pse ishte në dijeni se Krivaqa po kryente aktin e dhunimit, me dashje kishte marrë veprime në lehtësimin e kryerjes së kësaj vepre penale si dhe vazhdimisht kishte vëzhguar nëse ndonjë banor është dukë lëvizur aty pari.

Që të dy akuzohen po ashtu se kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar të fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.

Çfarë u kërkua në fjalën përfundimtare?

Në seancën e fundit gjyqësore për këtë rast, prokurori Valdet Avdiu kërkoi që Krivaqa dhe Sejdiu të dënohen sipas ligjit.

Gjatë kësaj seance të mbajtur më 1 gusht, prokurori Avdiu tha se “nga të gjitha provat, dëshmitarët e dëgjuar dhe video-incizimet, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale si në aktakuzë”.

Ndërsa avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, kërkoi dënim maksimal për të akuzuarit.

Rexhepi tha se të akuzuarve duhet t’iu jepet dënim maksimal në mënyrë që këto raste të mos përsëritën kurrë më në Kosovë.

Avokati mbrojtës i Dardan Krivaqës, Admir Salihu, tha se gjykata duhet t’i marrë parasysh të gjitha elementet dhe rrethanat, pasi siç tha ai, “është provuar se vepra penale është kryer nën ndikimin e lëndëve narkotike”.

Vetë Krivaqa shprehu keqardhje për atë që ka ndodhur.

Paraprakisht Krivaqës, me kërkesë të avokatit mbrojtës, iu bë një ekzaminim psikiatrik. Raporti i këtij ekzaminimi konstatoi se Krivaqa nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.

Përkundër provave të paraqitura, avokatët mbrojtës të Krivaqës dhe Sejdiut, kishin kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës. Por, gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi, më 2 shtator të vitit 2022, refuzoi kërkesën dhe kundërshtimin e provave që u paraqitën nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve./ rel

Related posts

Nëna e 11-vjeçarit të plagosur: I dyshuari gjuajti me armë në asfalt, plumbi goditi fëmiun tim

admin

Rtv Pendimi publikon Vaktia e Ramazanit 2023 për disa shtete (Shkarko)

rezart morina

Azerbajxhani marrëveshje me Armeninë, hapet korridori i Laçin

admin