Fundi i iluzioneve, biznesi e ka zëvendësuar demokracinë
Konfirmimi i gjeneralit në pension Eric Wendt nga Senati i SHBA-së si ambasador në Shqipëri i jep fund një periudhe trevjeçare me mision diplomatik pa kryezot në Tiranë.
Por nëse dikur ardhja e një ambasadori amerikan konsiderohej si një lajm i mirë për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në vend, sot ky emërim mbërrin si një paralajmërim i qartë për një ndryshim rrënjësor dhe shqetësues të prioriteteve të Uashingtonit.
Prej më shumë se dy muajsh e gjysmë, Shqipëria është përfshirë nga një valë e fuqishme protestash popullore kundër qeverisë. Kjo pakënaqësi e gjerë prek drejtpërdrejt edhe interesa me peshë të biznesit amerikan, veçanërisht projektet e diskutueshme të dhëndrit të Presidentit Donald Trump, Jared Kushner.
Për 70 ditë me radhë, përballë kësaj krize të thellë, ambasada e SHBA-së ka zgjedhur heshtjen cinike. Ndërhyrjet e saj janë kufizuar vetëm në paralajmërime burokratike për sigurinë e shtetasve të vet gjatë përplasjeve mes policisë dhe protestuesve pranë parlamentit, duke u mjaftuar me rolin e një spektatori indiferent.
Ajo që e bën edhe më alarmante situatën, është reagimi zyrtar i vetë ambasadës. Ai heq përfundimisht maskën e diplomacisë parimore. Sipas tij, misioni i Wendt do të fokusohet te “siguria e përbashkët, NATO-ja dhe marrëveshjet e drejta për bizneset amerikane”.
Në deklaratë s’ka asnjë fjalë të vetme për demokracinë, shtetin ligjor, lirinë e medias apo luftën kundër korrupsionit – shtyllat që dikur përbënin bërthamën e retorikës amerikane në rajon.
Kjo heshtje nuk është e rastësishme. Ajo është miratim në heshtje i situatës aktuale. Uashingtoni nuk ka shprehur asnjë kritikë ndaj projekteve madhore që shkatërrojnë zonat e mbrojtura natyrore, që shkelin me të dyja këmbët të drejtën e pronës private dhe që zhvillohen në errësirë të plotë pa asnjë transparencë ndaj publikut.
Ndërkohë e ka bërë të qartë dhe të padiskutueshëm pozicionin e tij: parimet demokratike, janë flijuar zyrtarisht në altarin e pragmatizmit ekonomik. Ardhja e Eric Wendt konfirmon se SHBA do të veprojë si garante e hapur e interesave të ngushta financiare e biznesore, duke e lënë shoqërinë shqiptare të vetme në betejën e saj për drejtësi.
Në këto kushte të presësh shpëtimin apo “shkopin magjik” nga ambasadori i radhës është tashmë jo vetëm naivitet, por një verbëri politike. Eric Wendt nuk vjen në Tiranë për të ndërtuar institucione të forta shqiptare, por për të kryer një detyrë të përcaktuar me precizion ushtarak: të mbrojë kapitalin amerikan me çdo kusht.
Prandaj, pyetjes nëse duhet të gëzohemi apo hidhërohemi i jepet përgjigje vetvetiu. Kjo situatë duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi për një fakt të thjeshtë: betejën për demokracinë, transparencën dhe shtetin e së drejtës nuk mund ta bëjë askush tjetër përveç vetë qytetarëve shqiptarë. Iluzionet diplomatike ranë. Ka ardhur koha të ballafaqohemi me realitetin. /tesheshi

