Të gjitha shkollat e krishtera në Kuds kanë njoftuar se do të pezullojnë mësimin duke filluar nga e marta, pasi Izraeli nuk rinovoi lejet e hyrjes për më shumë se 70 mësues dhe punonjës, duke i penguar ata të arrijnë në shkollat e tyre, transmeton Anadolu.
Viti i ri akademik në Izrael dhe Kuds është planifikuar të fillojë të martën.
Në një deklaratë, shkollat e krishtera në Kuds thanë se teksa po përgatiteshin për hapjen e vitit akademik 2026-2027 u befasuan nga “mos rinovimi i lejeve të hyrjes për më shumë se 70 mësues dhe punonjës nga stafi ynë arsimor, administrativ dhe mbështetës, papritur dhe pa paralajmërim paraprak”.
Ata thanë se mos rinovimi i lejeve i pengoi mësuesit dhe punonjësit të arrijnë në shkollat e tyre dhe ndikoi drejtpërdrejt në përgatitjet për fillimin e vitit akademik.
Në deklaratë thuhet se mungesa e një numri kaq të madh të stafit ndikon në aspekte të ndryshme të funksionimit të shkollave, përfshirë shërbimet arsimore, administrative dhe shëndetësore, si dhe pastrimin dhe masat e sigurisë dhe mbrojtjes.
Shkollat thanë se situata e bën “të pamundur sigurimin e një fillimi të sigurt dhe të qëndrueshëm” të vitit akademik për nxënësit.
Pas konsultimeve dhe koordinimit me palët përkatëse, përfaqësuesit e prindërve dhe shkollat e Kudsit, ata vendosën të pezullojnë mësimin duke filluar nga 1 shtatori.
“Pezullimi do të vazhdojë derisa lejet e nevojshme për mësuesit dhe punonjësit të rilëshohen dhe rinovohen, duke siguruar që procesi arsimor të zhvillohet në mënyrë të sigurt dhe të duhur”, shtuan ata.
Shkollat theksuan përkushtimin e tyre ndaj të drejtës së nxënësve për arsimim, duke paralajmëruar se masat e përsëritura të këtij lloji “minojnë stabilitetin e shkollave tona dhe pengojnë aftësinë e tyre për të përmbushur misionin e tyre”, ndërsa ndikojnë negativisht te nxënësit, familjet e tyre dhe stafi arsimor.
Ata bënë thirrje që kriza të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur dhe që lejet të rinovohen për t’u mundësuar nxënësve dhe stafit të kthehen në shkolla dhe që viti akademik të vazhdojë normalisht.
Veçmas, Munther Isaac, pastor i Kishës Ungjillore Luterane të Krishtlindjes në qytetin e Betlehemit në Bregun Perëndimor, dënoi masën izraelite.
“Presioni i Izraelit mbi praninë e krishterë në Kuds vazhdon”, tha Isaac në rrjetin social amerikan X.
“Shkollat e krishtera në qytet po hyjnë në grevë, sepse Izraeli refuzon t’u lëshojë leje mësuesve të tyre nga Bregu Perëndimor”, shtoi ai.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka kufizuar lejet e hyrjes për punëtorët palestinezë nga Bregu Perëndimor i pushtuar, përfshirë mësuesit, që përkon me fillimin e luftës gjenocidale në Rripin e Gazës.

