RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Të gjithë në bazë, po si t’ua shpjegojnë këtë herë Edi Ramën?

te-gjithe-ne-baze,-po-si-t’ua-shpjegojne-kete-here-edi-ramen?

Pas 13 vitesh, problemi nuk është më çfarë premton, por çfarë ka lënë pas

Ka një pyetje që Edi Rama nuk ua ka dhënë ende ministrave dhe deputetëve që po i dërgon me urgjencë në bazë: çfarë t’u thonë socialistëve për vetë Edi Ramën?

Sepse një gjë është t’u kërkosh njerëzve të besojnë te qeveria dhe krejt tjetër t’u shpjegosh pse duhet të vazhdojnë t’i besojnë një pushteti që ka 13 vjet në krye të vendit.

Urdhri është i qartë: të gjithë në terren! Ministra, deputetë, zëvendësministra e drejtues politikë. Të shkojnë te njerëzit, të dëgjojnë, të flasin dhe të mbledhin shqetësimet e tyre.

Në letër, duket si një nismë normale për të rikthyer komunikimin me qytetarët. Problemi nis sapo komunikimi të mos jetë më një monolog.

Sepse këtë herë mund të mos mjaftojë të flitet për arritjet e qeverisë. Njerëzit i kanë dëgjuar prej vitesh historitë për rritjen ekonomike, integrimin europian, investimet dhe projektet e mëdha.

Por kur përballë ke qytetarë që flasin për mungesën e perspektivës, shërbimet publike apo fëmijët që kanë ikur jashtë, statistikat nuk e mbyllin dot bisedën. Aq më tepër kur një pjesë e pakënaqësisë vjen nga vetë baza socialiste.

Kjo është ajo që e bën këtë “zbritje në terren” shumë më të sikletshme sesa një aksion partie rutinë . Sepse njerëzit që do të takojnë ministrat nuk janë domosdoshmërisht kundërshtarë politikë. Disa janë pikërisht ata që i kanë votuar.

Dhe këtu fillon problemi. Të shkosh te njerëzit është e lehtë. Të dëgjosh është më e vështirë. Por pjesa më e vështirë është të përgjigjesh.

Pas 13 vitesh nuk mund të shkosh para një qytetari sikur po hap një kontratë të re politike. Nuk mund të flasësh për premtime sikur të mos ekzistonte një histori e gjatë përgjegjësie.

Qytetarët kanë kujtesë. Edhe socialistët kanë kujtesë. Ata mund të jenë votues besnikë, por nuk janë fletë të bardha mbi të cilat pushteti mund të shkruajë nga fillimi sa herë që ndryshon sezoni politik.

Prandaj deputetët dhe ministrat kanë një detyrë më të ndërlikuar sesa thjesht të shpjegojnë politikat e qeverisë. Ata duhet të shpjegojnë vetë Edi Ramën.

Jo Ramën e posterave, videove apo konferencave. Por Ramën e 13 viteve të pushtetit. Sepse si mund të ndahet kryeministri nga pasojat e një qeverisjeje që ka drejtuar për më shumë se një dekadë?

Si mund të thuhet se problemi është gjithmonë te një ministër, një drejtor apo një zyrtar, ndërsa kreu i sistemit mbetet jashtë çdo përgjegjësie? Për vite me radhë, përgjegjësia ka pasur një prirje të çuditshme: ajo ka rënë gjithmonë poshtë.

Një drejtor ka gabuar. Një ministër nuk ka qenë në lartësinë e detyrës. Një zyrtar ka abuzuar. Një institucion nuk ka funksionuar. Por sa më shumë përsëritet kjo histori, aq më e vështirë bëhet të besohet se kreu i sistemit është thjesht një spektator i pafat i dështimeve të veta.

Pas 13 vitesh, qeverisja nuk mund të trajtohet më si një seri episodesh të shkëputura. Ajo është një sistem dhe çdo sistem mban vulën e atij që e ndërton, e drejton dhe e kontrollon.

Edhe reforma territoriale mund të rikthehet si një nga pyetjet e sikletshme në këto takime. U premtua modernizim dhe afrim i shërbimeve, por në shumë zona perceptimi është krejt tjetër.

Ndihet më shumë centralizim, më pak qasje dhe një distancë më e madhe mes qytetarit dhe institucionit. Ndoshta problemi nuk është se qytetarët nuk e kanë dëgjuar mjaftueshëm pushtetin. Ndoshta pushteti nuk i ka dëgjuar mjaftueshëm ata.

Edhe drejtësia është pjesë e kësaj llogarie. Reforma në drejtësi u paraqit si një nga ndryshimet më të mëdha të epokës “Rama”. Por nëse gradualisht po krijohet perceptimi se drejtësia ka ritme dhe standarde të ndryshme sipas emrit që ka përballë, problemi nuk është më vetëm juridik por edhe politik.

Pastaj është fenomeni i shpopullimi, ndoshta forma më e heshtur e mosbesimit. Njerëzit nuk kanë nevojë gjithmonë të protestojnë për të treguar se nuk besojnë më te perspektiva që u ofrohet. Disa thjesht largohen. Dhe boshatisja është gjithmonë një pyetje e rëndë për një pushtet që flet për sukses.

Prandaj “zbritja në bazë”, mund të prodhojë më shumë sesa raportet optimiste që presin drejtuesit e partisë. Ministrat dhe deputetët mund të dëgjojnë gjëra që nuk i dëgjojnë në mbledhjet e qeverisë.

Mund të përballen me njerëz që nuk duan të dëgjojnë më për arritje, por për përgjegjësi. Dhe në fund të çdo bisede mund të mbetet e njëjta pyetje. Jo çfarë ka bërë qeveria. Jo çfarë do të bëjë Partia Socialiste. Por çfarë duhet të mendojmë për Edi Ramën pas 13 vitesh?

Sepse socialistët nuk po e njohin Ramën sot. Ata e njohin prej kohësh. E kanë votuar, mbrojtur, besuar, dhe në jo pak raste janë zhgënjyer prej tij. Të gjithë kanë një gjë të përbashkët: kanë jetuar 13 vitet e tij në pushtet.

Dhe kjo është arsyeja pse misioni i dërguar nga Tirana në bazë është shumë më i vështirë sesa duket. Të shkosh te njerëzit është e lehtë. Të dëgjosh atë që kanë për të thënë pas 13 vitesh, është më e vështirë.

Por t’u shpjegosh pse duhet të vazhdojnë të besojnë te i njëjti njeri, kjo është ndoshta detyra më titanike që Edi Rama u ka dhënë ndonjëherë ministrave dhe deputetëve të tij. tesheshi

Related posts

Bie nataliteti në Kosovë

admin

E kapën vajzën trejavëshe me gjithë djep”, rrëfimet nga masakra në Rogovë të Hasit

Muhamet Ramadani

Rusia: Plani izraelit për Gazën pengon paqen e qëndrueshme

Muhamet Ramadani