Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që të mbijetuarve të dhunës seksuale t’u njihet e drejta për dy pensione, pensionin si të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës dhe pensionin bazik të moshës (si dhe atë kontributdhënës), ka njoftuar të mërkurën Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Sipas njoftimit, kjo arritje është rezultati i angazhimit të QKRMT-së në ofrimin e ndihmës juridike falas për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Këto procese gjyqësore kanë filluar qysh nga vitit 2021. Fillimisht janë përgatitur dhe dorëzuar paditë për 5 raste, ndërsa më vonë numri i rasteve ka vazhduar të shtohet”, thuhet në njoftim.
QKRMT-ja ka thënë se të mbijetuarit e dhunës seksuale me të mbushur moshën e pensionimit janë privuar nga e drejta për pension të dyfishtë. Kjo ka marrë fund me vendimin e Gjykatës.
“Pra, të mbijetuarit është dashur të zgjedhin veç njërin pension. Rastet e tilla, QKRMT i ka trajtuar me kujdes dhe të bindur në profesionalizmin dhe gjetjet e tyre, i ka mbështetur të mbijetuarit për arritjen e drejtësisë dhe njohjen e të drejtës së plotë për shfrytëzimin e pensionit të dyfishtë. Nxjerrja e tre Aktgjykimeve të një pas njëshme për njohjen e të drejtës në realizimin e pensioneve të dyfishta për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, është dëshmi e mjaftueshme se të mbijetuarve duhet t’iu njihet e drejta në realizimin e dy pensioneve”, vijon njoftimi.
QKRMT-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rregullojë këtë çështje përmes një akti administrativ dhe “t’iu mundësojë kategorive të cilat gëzojnë të drejtën që të përfitojnë nga dy pensionet t’i marrin ato nga momenti kur i plotësohen kushtet ligjore, në mënyrë që mbijetuarit mos të presin me vitet të tëra deri sa të vendos gjykata për njohjen e kësaj të drejte”.