RTV AHIRETI
Artikuj

Të mësuarit përmendsh në mënyrë efektive

te-mesuarit-permendsh-ne-menyre-efektive

Edhe pse mësimi përmendsh nëpër shkollat perëndimore dhe në ato që mëtojnë t’i imitojnë ato, e kanë nxjerrë nga plani mësimor të mësuarit përmendsh, sërish ne gjatë gjithë jetës mbetemi të detyruar që gjëra të caktuara t’i mbajmë në mend, respektivisht fillimisht t’i mësojmë përmendsh, si p.sh. numrin PIN të telefonave, passwordat, fjalët e një gjuhe të huaj, eventualisht të recitojmë ndonjë poezi ose të luajmë ndonjë rol teatral. Për ne muslimanët vjen në pyetje drejtpërdrejtë edhe mësimi përmendsh i sureve të Kur’anit dhe i lutjeve a duave të tjera të cilat na duhen për kryerjen e namazit, të haxhit dhe ibadeteve të tjera.

Shkruan: Mr. Rejhan Neziri

Edhe pse truri njerëzor nuk është i prirë të mësojë përmendsh, prapëseprapë kjo nuk është e pamundur, madje nëse përdoren metoda a teknika të caktuara, kjo mund të zhvillohet shumë mirë dhe kështu që madje edhe tekste të gjata të mbahen mend sa jeta. Arti i të mësuarit përmendsh qëndron në përsëritjen e drejtë dhe në trajnimin e vazhdueshëm të trurit. Kjo është dëftuar edhe nga studimet e ndryshme të neurologëve. Kur ne dëshirojmë të mësojmë diçka përmendsh, atëherë qelizat nervore bëjnë përpjekje të krijojnë lidhje me njëra-tjetrën. Ato tkurren e zgjerohen për të vënë kontakt me njëra-tjetrën. Ky efekt ndërkaq zgjat vetëm për disa minuta. Në qoftë se duam që diçka ta mbajmë në kujtesë për një kohë më të gjatë, atëherë duhet t’i stimulojmë a t’i ngacmojmë nervat në mënyrë të vazhdueshme, në veçanti të përsëritshme. Kështu në mënyrë të përshkallëzuar krijohet një lidhje e qëndrueshme midis këtyre qelizave nervore, rezultati – e mbajnë në kujtesë tanimë të mësuarën.
Fjala magjike në këtë proces është “përsëritja”, edhe atë në kohë e mënyrë të drejtë. Ndofta nga përvoja jonë ose e të tjerëve kemi vënë re se si një njeri e mëson orë të tëra  rresht një tekst të caktuar dhe përsëri dështon në provim ose test. Kjo s’është për t’u habitur. Pa marrë parasysh, nëse njeriu mëson vetëm dhjetë minuta apo tri orë mbi një tekst, truri e shënon këtë si mësim të njëhershëm. Vetëm pasi të jetë përsëritur leximi i tekstit, nga truri do të njihet si i rëndësishëm – andaj me këtë rast më me kuptim do të ishin nga dhjetë minuta në katër ditë sesa dyzet minuta në një ditë.

Mësimi i drejtë përmendsh në pesë hapa
E pra, si duhet vepruar, nëse dëshiron ose je i detyruar të mësosh diçka përmendsh? Fillimisht merru me tekstin në mënyrë sipërfaqësore, pa mos hyrë në thellësi e në detaje. Lexoje me kujdes dhe me ngadalë dy herë tekstin, që të njihesh e të familjarizohesh me të. Pastaj mbylle tekstin dhe përpiqu t’i përkujtosh pikat më të rëndësishme të tij.
Me këtë ti i vë bazat për një mësim të suksesshëm. Nga arsyeja se truri më me dëshirë merret me një tekst me të cilin tanimë është njoftuar dhe mësuar sesa me një tekst krejt të panjohur.
Më pastaj ndiqi pesë hapat në vijim, nëse vërtet dëshiron të mësosh diçka përmendsh:

1.   Mëso pjesë-pjesë
Merre p.sh. një strofë poezie apo një sure të shkurtër kur’anore. Fillimisht mësoje vetëm rreshtin ose ajetin e parë përmendsh, edhe atë copë-copë, nëse rreshti apo ajeti është i gjatë. Pastaj kalo në rreshtin apo ajetin e dytë dhe mësoje përmendsh. Tani përsërite disa herë rreshtin apo ajetin e parë me të dytin përnjëherë, sikur të ishin një tekst i vetëm. Më pastaj kalo në rreshtat apo ajetet e ardhshëm me të njëjtën procedurë, copë-copë. Më pastaj përsërite disa herë tërë strofën apo suren. Me këtë mënyrë ti mund të mësosh edhe tekste të gjata ose fjalë të një gjuhe të huaj, pra gjithçka që të duhet ose dëshiron ta mësosh përmendsh.
Ja një shembull si do të dukej kjo te duaja/lutja “Subhanek”, të cilën ne me ëndje ua mësojmë fëmijëve tanë në fillim të mësimit fetar islam në familje ose në mejtepin e xhamisë:

2.     Lëre të piqet
Kur mëson diçka përmendsh për herë të parë, kapaciteti yt për ruajtje është i kufizuar. Me këtë rast ti ke arritur të mësosh disa strofa, një sure ose një gjysmë faqe Kur’an, varësisht se prej kur ke filluar me trajnimin e trurit tënd në mësimin përmendsh. Ndryshe thënë, ti duhet të supozosh se nuk mund të mësosh përmendsh më shumë se 20 minuta në ditë. Pastaj përfundoje ushtrimin dhe mësimin përmendsh, rinise në ditën e ardhshme.

3.     Bëj pauza
5 minuta nga 20, që i ke ndarë për mësim përmendsh, duhet t’i investosh në një pauzë mësimi. Ti duhet ta ndërtosh njësinë e të mësuarit ashtu që 10 minuta t’ia kushtosh tekstit e pastaj – dhe kjo është shumë me rëndësi – të bësh një pauzë prej 5 minutash. Gjatë kësaj kohe merru me diçka krejt tjetër, p.sh. ziej një kafe, dil në ballkon ose në oborr, luaj me fëmijët…, thjesht merru me diçka që s’ka të bëjë me mësimin përmendsh. Ndryshe thënë, për nja 5 minuta “harroje” atë që e mësove përmendsh para 10 minutave.
Pas kësaj pauze merru sërish me tekstin: përsërite në kokë. S’ka dyshim se me këtë rast ti disa pjesë të tekstit vërtet i ke harruar. S’prish punë. Për t’i rikujtuar këto pjesë, shiko një herë në tekst. Pastaj provo ta thuash përmendsh edhe një herë tërë tekstin. Sepse nëse e përsërit në këtë mënyrë, do ta kesh mësuar më mirë përmendsh sesa ta kishe lexuar 4-5 herë.

4.     Përsëriti njësitë që i ke mësuar
Me rëndësi gjatë të mësuarit përmendsh është distanca e drejtë e përsëritjes. Përsëritjen e parë nise saktësisht 8 orë pas mësimit të parë. Pra, në mëngjesin e ditës së nesërme, nëse e ke mësuar pak para se të shkosh në shtrat për të fjetur. Ose pas dite, nëse e ke mësuar herët në mëngjes. Të mësuarit përmendsh në mëngjes ka përparësinë e pamohueshme, pasi atëherë truri i njeriut zakonisht është i çlodhur dhe jo i ngarkuar me angazhimet e ditës.
Përsëritja e dytë bëhet saktë pas një dite, kurse përsëritja e tretë saktë pas dy ditësh nga përsëritja e dytë. Pas kësaj ti do të vëresh se teksti yt tanimë ka zënë vend aq mirë në trurin tënd, saqë mund ta thuash apo recitosh pa shikuar në letër.
Kjo bëhet falë pauzave të mësimit që i bën brenda kësaj kohe, gjatë së cilës nënvetëdija jote merret vazhdimisht dhe pa ndërprerë me tekstin, ajo ndërlidh informacione të reja me ato të mëparshmet dhe krijon lidhje të reja të qelizave nervore. Kjo mundëson që e mësuara të zërë vend në trurin/kujtesën tënde.

5.     Ruaje tekstin në kujtesë gjithë jetën
Në qoftë se dëshiron që tekstin e mësuar përmendsh ta kesh në kujtesë gjithë jetën, për shembull fjalët e një gjuhe të huaj, ndonjë poezi të mrekullueshme që të ka pëlqyer shumë ose për ne muslimanët suret kur’anore apo duatë e tjera, ti thjesht duhet t’i përsëritësh ato. Hapësirën kohore për këto përsëritje mund ta caktosh vetë, duke e dyfishuar distancën e përsëritjes paraprake. P.sh. përsëritja e radhës do të ishte pas katër ditësh, pas tetë ditësh, pas gjashtëmbëdhjetë ditësh, pas një muaji, pas dy muajsh e kështu me radhë. Natyrisht se këtë përsëritje mund ta bësh edhe ndërmjet këtyre kohëve, pasi tanimë ti e di tekstin përmendsh dhe nuk ke nevojë për libër apo letër. Raste të mira për këto përsëritje të ndërmjetme janë për shembull kur je duke pritur në rresht për diku, kur je duke bërë sport etj.
Natyrisht një përsëritje në çdo gjashtë muajt e mëtejmë është e preferuar për një kujtesë të freskët.

Related posts

Edukata seksuale për fëmijë

admin

Porti i Durrësit dhe zgjatimi i tij në Prishtinë, projekti i detajuar me kostot dhe periudhën e ndërtimit përfundon brenda vitit 2022

admin

Zëri i Amerikës: Lidhjet e Vuçiqit me grupet kriminale shtron pyetjen: A është ai partner i SHBA-së?

admin