RTV AHIRETI
ArtikujFeaturedKosovëLajmeLajmetTurqi

Tërmetet në Turqi dhe Siri ngrenë alarmin mbi cilësinë e ndërtimeve në Kosovë

termetet-ne-turqi-dhe-siri-ngrene-alarmin-mbi-cilesine-e-ndertimeve-ne-kosove

Verifikim i objekteve formale që janë ndërtuar para viteve ‘90 është kualifikuar i domosdoshëm për të trajtuar fortësinë e tyre ndaj goditjeve sizmike. Sipas sizmiologut japonez, Kit Miyamoto, shtetet që neglizhojnë ekzaminimin e dheut, si dhe vlerësimin e kohëpaskohshëm të objekteve të vjetërsuara, do të përballen me humbje të mëdha në njerëz në rastet e goditjeve të tërmeteve.

Dy tërmete shkatërruese që goditën Turqinë juglindore dhe Sirinë veriore kanë ngritur alarmin edhe në Kosovë për mostrajtimin adekuat të fortësisë së objekteve të banimit nga goditjet sizmik.

Sizmiologu japonez, Kit Miyamoto alarmoi se shtetet që neglizhojnë ekzaminimin e dheut ku vendoset objekti, si dhe vlerësimin e kohëpaskohshëm të objekteve të vjetërsuara, do të përballen me humbje të mëdha në njerëz, nga goditjet e tërmeteve.

“Nëse aty ku është bërë ndërtimi, dheu është i butë, çdo tërmet me magnitudë të lartë, edhe nëse është në një shtet si Rumania, do të ketë ndikim edhe në pjesën tuaj. Unë mendoj se përpilimi specifik i legjislacionit për dhënien e lejeve për ndërtime është krucial, që ballafaqimi me tërmetet të kalojë pa viktima. Po ashtu është e rëndësishme të kuptojmë se ekzaminimi gjeomekanik, si dhe angazhimi i inspektorëve për t’i përcjellë ndërtimet nga fillimi deri në fund e trajtimi i ndërtimeve formale do të shpëtonte qindra jetë”, ka thënë Miyamoto.

Kosova ka një legjislacion i cili kërkon hartimin e kodit unik të ndërtimeve. Por, kodi nuk është hartuar kurrë. Në mungesë të tij, komunat në rregullore kanë përfshirë standardet e Eurokodit.

Ekspertët në Kosovë thonë se legjislacioni është i mangët dhe se kapacitetet për të mbikëqyrur ndërtimet janë të pamjaftueshme.

Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Florim Grajçevci, thekson se ekzaminimet gjeomekanike bëhen në mënyrë të përgjithshme dhe jo specifike. Ai shtron nevojën që të verifikohen banesat e ngritura pa dokumentacion, para viteve ’90.

“Duhet të bëhet përditësimi i Ligjit të ndërtimit, unë mendoj që duhet të futen kriteret e vlerësimeve paraprake, por edhe njëkohësisht të pranimeve teknike që ato të jenë të cilësisë profesionale dhe të mos ketë lëshime… Objektet që janë ndërtuar në periudha të ndryshme kohore që kanë kapur standarde të ndryshme, edhe për to duhet të bëhet një verifikim, sidomos i objekteve që kanë funksion publik, ku mund të mblidhen shumë njerëz”, ka thënë Grajçevci.

Për shkak të rrezikshmërisë nga tërmetet, Shqipëria ka vendosur që përgjatë periudhës 2023-2027 të bëjë vlerësimin mbi sigurinë e objekteve të banimit ndaj goditjeve sizmike.

Në Kosovë ekzistojnë mbi 300 mijë objekte pa leje. Por, në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës nuk kanë treguar nëse do ta vlerësojnë qëndrueshmërinë e objekteve të banimit ndaj lëkundjeve të tokës.

Tërmeti më i fuqishëm në Kosovë është regjistruar në Ferizaj në vitin 1921, me 6.1 shkallë të Rihterit.

Related posts

BIK-u thërret konferencë urgjente për grevën në arsim

admin

Takimi i 2 majit në Bruksel, kryeministri Kurti takim paraprak me diplomatët evropianë

rezart morina

Europa përgatitet për ndërprerje të funksionimit të rrjetit celular

admin