Iraku është duke u përballur me një katastrofë mjedisore si pasojë e tharjes së liqeneve dhe lumenjve. Mungesa e ujit është kthyer në shqetësimin kryesor teksa fermerët ngrenë alarmin për shkatërrimin e të mbjellave.
Rrënimi i afro 3,000 km katrorë i këtij ekosistemi unik në Irak është vlerësuar nga ambientalistët si një katastrofë mjedisore i paprecedentë. Lumenjtë dhe liqenet janë dukë u tharë ndërsa rezervat ujore janë përgjysmuar.
Provinca e Mosulit dhe zonat përreth, në dy sezone të njëpasnjëshme thatësire kanë sjellë shkatërrimin e 90% të të mbjellave duke tharë mijëra km sipërfaqe gruri dhe elbi.
Zyrtarët thonë se kjo situatë nuk do të ndalet me kaq, por do të vijojë edhe në sezonin e ardhshëm.
Fermerët u munduan të sigurojnë ujë përmes një mënyre alternative, duke hapur puse nëntokë, por përdorimi i parregullt i tyre ka sjellë një tjetër problem, rënien e cilësisë dhe nivelit të ujit.
Në rajonin jugor të Samawa, hapja e paligjshme e puseve ka sjellë tharjen totale të liqenit Sawa.
Ndërkohë stuhitë e rërës dhe gërryerja e tokës shkaktojnë dëmtimin e 40 mijë hektarëve tokë çdo vit.
Kjo situatë ka shqetësuar popullin e Irakut, i cili është tërësisht i varur nga lumenjtë Tigër dhe Eufrat së bashku me lumenjtë e tjerë më të vegjël të cilët janë të domosdoshëm për ujitjen e tokave bujqësore. Mijëra njerëz kanë braktisur tokat e po zhvendosen në qytetet e mëdha.
Sipas raportit GEO-6 nga Programi Mjedisoi i OKB-së, Iraku klasifikohet si vendi i pestë më i kërcënuar nga uji dhe ushqimi.
Banka Botërore ka vlerësuar se deri në vitin 2050, temperaturat mesatare do të rriten me 2 gradë Celsius dhe reshjet do të ulen me 9%. /ora