RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Tre persona ndalohen për rastin e vdekjes së një personi në vendin e punës në Prishtinë

tre-persona-ndalohen-per-rastin-e-vdekjes-se-nje-personi-ne-vendin-e-punes-ne-prishtine

Tre persona janë ndaluar në lidhje me aksidentin e rëndë që ndodhi në një vendpunim në Prishtinë, ku humbi jetën një person dhe një tjetër mbeti i lënduar rëndë.

Në njoftimin e publikuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thuhet se të ndaluarit janë A.Sh., i dyshuar për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, si dhe B.S., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë ndërtuese, dhe E.E., në cilësinë e përfaqësuesit të kompanisë investuese të projektit, të dyshuar për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Po ashtu, janë intervistuar dëshmitarët okularë dhe personi i lënduar, i cili po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Si pasojë e aksidentit, një person me inicialet E.Sh. ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë angazhuar ekspertë të pavarur të sigurisë në punë dhe një ekspert i inxhinierisë mekanike. Gjithashtu janë siguruar prova materiale, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga njësia e forenzikës.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka nisur hetimet për veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, sipas nenit 356, paragrafi 9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas nenit 358, paragrafi 7 të KPRK-së.

Prokuroria bëri me dije se, brenda afatit ligjor, do të vendosë nëse do të kërkojë caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Related posts

Zgjatet afati i ndalesës për konsumimin e alkoolit në ambiente të hapura publike në Bruksel

admin

Izraeli dhe Libani pritet të zhvillojnë bisedime direkte, mes luftës me Iranin

Hevzi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky mbërrin në Filipine, ja arsyeja e vizitës së tij

admin