RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Tri objekte që Serbia po ndërton në veri të Kosovës, “pa leje”

tri-objekte-qe-serbia-po-nderton-ne-veri-te-kosoves,-“pa-leje”

Shiritat bardh e kuq, që nënkuptojnë ndalimin e punëve të mëtejshme ndërtimore, që nga 20 qershori janë vendosur te tri ndërtesa në Mitrovicën e Veriut, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Punimet i ndërpreu Komuna e Mitrovicës së Veriut, e cila funksionon brenda sistemit të Kosovës, me arsyetimin se ato nuk kanë leje ndërtimi. Më 21 korrik, Radio Evropa e Lirë ka konfirmuar në terren se punimet nuk janë vazhduar, gjegjësisht se punëtorët me makineri janë tërhequr duke lënë pas vetëm material ndërtimor.

Vetëm përpara njërës prej këtyre tri ndërtesave është një tabelë me informacione për investitorin dhe kontraktorin. Bëhet fjalë për ndërtimin e objektit të ri për Universitetin që punon sipas sistemit serb dhe për të cilin janë ndarë para nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Kontraktor është një kompani që është në listën e zezë të SHBA-së – “RAD 028”.

Në vendin e ndërtimit të ndërprerë, tani qëndrojnë muret e katër ndërtesave trekatëshe me tulla, ndërsa kati i katërt mbetet i hapur.

Për dy objektet e tjera, nuk dihet asgjë, kush qëndron pas tyre apo çfarë supozohet të jenë, sepse nuk ka asnjë shenjë.

Mirëpo, nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit, thonë se bëhet fjalë për banesa për raste sociale, si dhe një shkollë. Ata nuk specifikuan se kush po ndërton apo financon.

Në Mitrovicën e Veriut paralelisht funksionon edhe një komunë nën sistemin serb, e cila kryesisht realizon projekte të financuara nga Serbia. Deri në dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri të nëntorit të vitit të kaluar, në duart e Listës Serbe ishin edhe komunat nën sistemin e Kosovës.

Për shkak të bojkotit të zgjedhjeve në prill, në krye të katër komunave në veri të Kosovës me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – tashmë janë shqiptarët. Kjo ka qenë edhe arsyeja e tensioneve të reja në atë rajon, të cilat kanë vazhduar që nga fundi i majit.

Pse është i diskutueshëm ndërtimi?
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, më 20 korrik ka njoftuar se departamenti i inspektimit ka ndaluar ndërtimin e tri objekteve për shkak se nuk janë përmbushur “kriteret dhe normat ligjore”.

Ai në profilin e tij në Facebook ka shkruar se “qytetarët duhet t’i mbrojnë investimet e tyre duke plotësuar kriteret e parashikuara nga ligjet në fuqi”.

“Në të kundërtën, Drejtoria për Çështje të Inspektimit do të veprojë në përputhje me ligjet në fuqi”, ka shkruar ai.

Nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Axhançiq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ka sqaruar se punimet ndërtimore në tri objekte janë pezulluar për shkak se nuk kanë leje ndërtimi.

“Nuk dihet se kush i ndërton dhe as nga cili buxhet. Për këtë arsye është ndërprerë ndërtimi për të identifikuar kontraktuesin dhe investitorin në përputhje me ligjin”, ka thënë Axhançiq.

Çfarë thotë Lista Serbe?

Më 20 qershor, Lista Serbe ka njoftuar se “kryetari ilegal” ka marrë vendim për pezullimin e ndërtimit të banesave për familjet në nevojë dhe shkollës për fëmijët e kategorive të rrezikuara.

Ata nuk kanë specifikuar se kush i ndërton ato banesa dhe shkollën. Ata nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për sqarim të mëtejshëm të kësaj çështjeje.

Përgjigje nuk ka ardhur as nga komuna paralele serbe, e as nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Me mjetet e Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës për Kosovën, shpeshherë ndërtohen apo rinovohen objekte të ndryshme në zonat serbe. Megjithatë, REL-i nuk ishte në gjendje të gjente kontratën publike për ndërtimin e apartamenteve dhe një shkolle, të përmendur nga Lista Serbe.

Nga ana tjetër, kjo parti e lidh pezullimin e ndërtimeve me “provokimin” e autoriteteve kosovare, “përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës” dhe “persekutimin e serbëve”.

“Pyetja është nëse kjo është përgjigja e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti, ndaj thirrjes së përfaqësuesve ndërkombëtarë për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, si dhe nëse vendimi për ndalimin e ndërtimit të shkollave dhe banesave për qytetarët në nevojë është në përputhje me thirrjet e ambasadorëve të QUINT-it se këta kryetarë komunash, të imponuar me 3 për qind të votave merrën me gjëra teknike dhe administrative”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Ndërtimi i universitetit vetëm me lejen e Serbisë?
Një nga objektet që është bllokuar për ndërtim të mëtejmë është objekti i Universitetit, i cili funksionon në Mitrovicën e Veriut sipas planit dhe programit të Republikës së Serbisë.

Në gusht të vitit 2021, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, vendosi gurthemelin për ndërtimin e Universitetit të ri, i cili, sipas projektit, pritet të shtrihet në 10,575 metra katrorë dhe të strehojë Fakultetin e Shkencave, Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik dhe Rektoratin.

Në bazë të informatave nga tabela informuese e vendosur përballë këtij objekti, leja e ndërtimit për ndërtimin e këtij universiteti është lëshuar në vitin 2020 nga Autoriteti i Përkohshëm, i cili punon në sistemin serb.

Kontraktor është kompania “RAD 028” në pronësi të Radulle Steviqit, i cili është nën sanksionet amerikane që nga viti 2021 për shkak të dyshimit se është i lidhur me Zvonko Veselinoviqin (biznesmen nga veriu i Kosovës), i cili dyshohet se i përket rrjeteve korruptive të lidhura me krimin e organizuar transnacional.

Që atëherë, kjo kompani nuk ka marrë tenderë në Kosovë.

Nga gushti i vitit 2018 e deri në shtator të vitit 2021, kompania “RAD” ka fituar gjithsej 61 tenderë në vlerë prej 5.6 milionë eurosh. Këto projekte janë financuar nga buxheti i Qeverisë së Kosovës.

Por, edhe pas futjës në listën e zezë, kompania e Steviqit “RAD 028” vazhdon të realizojë projekte më të mëdha, kryesisht në Kosovë, të cilat financohen nga buxheti i Serbisë.

Një hulumtim i mëparshme e REL-it tregoi se kompania e Steviqit kishte lidhur marrëveshje në vlerë të paktën 8.5 milionë euro me institucionet paralele serbe në Kosovë në periudhën 2016-2019.

Në vitin 2020, e njëjta kompani është paguar të paktën 13.3 milionë euro nga buxheti i Serbisë.

Puna e kompanisë “RAD 028” nuk ka të ndalur as dy muajt e fundit, ndonëse komunat paralele serbe në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok janë “bllokuar” nga ofrimi i shërbimeve për qytetarët. Këto tri komuna deri më tani kanë qenë në të njëjtin objekt me ato që punojnë në sistemin e Kosovës dhe me ardhjen e kryetarëve shqiptarë në pushtet nuk kanë qasje në zyra. /REL

Related posts

Hetohet vdekja e 28 vjeçarit në Gostivar, dyshime për vetëvrasje

admin

Ukraina: Kemi vrarë 60 mijë rusë dhe kemi shkatërruar 2300 tanke

admin

Putin dislokon në Atlantik raketat hipersonike Zircon

admin