Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dhënë mendimin e tij lidhur me çështjen e bashkimit të Irlandës, duke thënë se do të “donte shumë ta shihte atë të bashkuar” dhe duke parashikuar se një Irlandë e bashkuar “do të ndodhë përfundimisht”.
Ai ka sugjeruar se “mund të ndodhte edhe tani” dhe la të kuptohej se Micheal Martin është njeriu që mund të ndihmojë në realizimin e kësaj.
“Epo, nuk dua të shkaktoj probleme, por po ju them se do të doja shumë ta shihja të bashkuar. Kam miq në të dyja palët, njerëz të mrekullueshëm. Janë irlandezë. Si mund të jenë të këqij, apo jo?…Mendoj se do të ishte një arritje e madhe për të gjithë nëse do të ndodhte kjo. Do të ndodhë përfundimisht”, ka deklaruar Trumpi.
Ribashkimi i Irlandës është konsideruar prej kohësh një çështje e debatueshme, duke ndarë opinionet mes unionistëve, të cilët duan që Irlanda e Veriut të mbetet pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, dhe republikanëve, të cilët duan që ajo të ribashkohet me Republikën e Irlandës.
Për gati 30 vjet, Irlanda e Veriut u përfshi nga dhuna dhe trazirat e konsiderueshme sektare, në një periudhë të njohur si “The Troubles”.
Sipas marrëveshjes të së “Premtes së Mirë” të vitit 1997, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe që solli paqe në këtë provincë, shumica e votuesve në referendumet kufitare të zhvilluara si në veri, ashtu edhe në jug, duhet të votojnë në favor të ribashkimit që ai të realizohet.

