Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë tarifa ndaj Bashkimit Evropian (BE), pasi akuzoi bllokun evropian se po synon në mënyrë të padrejtë kompanitë e mëdha amerikane të teknologjisë përmes gjobave prej miliarda dollarësh, transmeton Anadolu.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump përmendi penalitetet e vendosura ndaj Apple, Meta, Amazon dhe Google.
“BE-ja do të paguajë një çmim shumë të madh për këtë sjellje të paligjshme dhe shumë joetike”, shkroi Trump.
Trump tha se administrata e tij do të “nisë menjëherë një hetim sipas Nenit 301” ndaj asaj që ai e përshkroi si praktikë të BE-së për “vjedhjen” e kompanive amerikane dhe taksapaguesve amerikanë.
Ai gjithashtu tha se gjobat e vendosura nga BE-ja “do të anulohen plotësisht” dhe se administrata e tij pret të vendosë “një tarifë të konsiderueshme” ndaj BE-së “sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Neni 301 i Ligjit Amerikan për Tregtinë të vitit 1974 i jep përfaqësuesit amerikan të tregtisë autoritetin për të hetuar praktikat e huaja tregtare që konsiderohen të padrejta ose diskriminuese dhe, nëse është e nevojshme, të rekomandojë masa hakmarrëse, përfshirë vendosjen e tarifave.

