Delegacioni amerikan, nga miliarderë të paskrupuj në mbrojtjen e interesave të tyre
Ekipi negociator i Donald Trump për Kinën duket se ka pësuar një transformim rrënjësor, duke u zhvendosur nga ideologjia e pastër drejt interesave të drejtpërdrejta të biznesit.
Ndërsa vizita e tij shtetërore në Pekin është konfirmuar për këtë të enjte, pyetja që dominon është: kush po e formëson realisht politikën e jashtme amerikane?
Në mandatin e parë, Shtëpia e Bardhë rrethohej nga “skifterë” si Mike Pompeo dhe Matt Pottinger, figura që e shihnin Kinën si një sfidë ekzistenciale sigurie. Sot, kjo skuadër nuk ekziston më.
Në vend të tyre, hija e diplomacisë amerikane tani mbushet nga emra si Elon Musk (Tesla), Tim Cook (Apple), Larry Fink (BlackRock) dhe drejtues të gjigantëve si Goldman Sachs, Meta e Boeing.
Kjo përzgjedhje sugjeron një qasje ku “armata” ekonomike po përdoret si mjet presioni, por edhe si përfituese e drejtpërdrejtë e marrëveshjeve të mundshme. Ndryshimi i kursit është i dukshëm te figura si Robert O’Brien.
Dikur ai kërkonte shkatërrimin e fabrikave tajvaneze të çipave për t’i mbajtur larg Kinës, ndërsa sot e ka bindur Trumpin të lehtësojë kufizimet e eksporteve në favor të kompanisë Nvidia. Kjo mungesë koherence mes parimeve të dikurshme dhe veprimeve të sotme po ngre pikëpyetje te aleatët.
Në planin zyrtar, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ka qenë mjaft aktiv në koordinimin me zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng. Megjithatë, prania e djalit të presidentit, Eric Trump, i cili mbikëqyr bizneset e familjes, shton dyshimet për gërshetimin e interesave private me ato shtetërore.
Analistët vënë në dukje se kjo mungesë kufiri mes diplomacisë dhe biznesit mund të jetë një avantazh për ekipin negociator kinez, i cili njihet për stabilitetin dhe llogaritjet afatgjata.
Diplomatët aleatë janë veçanërisht të shqetësuar për Tajvanin. Ekziston frika se deklaratat impulsive të Trump mund të dobësojnë mbështetjen amerikane për ishullin në këmbim të favoreve tregtare.
Nga ana tjetër, Pekini ka nisur të përdorë gjuhën e “bashkëjetesës paqësore” (heping gongchu), një koncept i vjetër që po ringjallet për të joshur administratën e re drejt një stabiliteti që favorizon rritjen e Kinës.
Në fund, kjo vizitë mund të mos jetë thjesht një samit mes du fuqive, por një tryezë ku interesat e Wall Street dhe të rrethit të ngushtë të Trump peshojnë më shumë se strategjia gjeopolitike e SHBA-së.
Nëse diplomacia po shndërrohet në një transaksion biznesi, mbetet të shihet nëse fituesi do të jetë populli amerikan apo vetëm një grup elitar ekzekutivësh. tesheshi

