“47 vjet shantazh, korrupsion dhe vdekje, do të përfundojnë më në fund”, tha presidenti amerikan Donald Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi se “i gjithë qytetërimi do të vdesë sonte”, teksa afati i tij për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim me Iranin po shkon drejt fundit sonte, transmeton Anadolu.
“I gjithë qytetërimi do të vdesë sonte, dhe nuk do të rikthehet kurrë më. Nuk dua që kjo të ndodhë, por ndoshta do të ndodhë”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
“Megjithatë, tani që kemi Ndryshimin e Plotë dhe Total të Regjimit, ku përparojnë mendje të ndryshme, më të mençura dhe më pak të radikalizuara, ndoshta mund të ndodhë diçka revolucionare e mrekullueshme, KUSH E DI? Do ta zbulojmë sonte, një nga momentet më të rëndësishme në historinë e gjatë dhe komplekse të Botës. 47 vjet shantazh, korrupsion dhe vdekje, do të përfundojnë më në fund”, shtoi ai.
Më herët, Trump kërcënoi të bombardojë stacione energjie dhe ura në të gjithë Iranin nëse Teherani nuk do të rihapte Ngushticën e Hormuzit dhe të arrinte një marrëveshje deri të martën në orën 8 të mbrëmjes (sipas kohës lokale amerikane).
Përshkallëzimet rajonale kanë vazhduar që nga 28 shkurt, kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën një ofensivë kundër Iranit, duke vrarë mbi 1.340 persona, përfshirë udhëheqësin e atëhershëm suprem, Ayatollah Ali Khamenei. Autoritetet iraniane nuk kanë përditësuar shifrat në ditët e fundit.
Teherani është hakmarrë me sulme dronësh dhe raketash duke goditur Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake të SHBA-së, duke shkaktuar viktima, dëme infrastrukturore, dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.

