Trupi i aktivistes turko-amerikane Aysenur Ezgi Eygi, të vrarë nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar javën e kaluar, ka mbërritur në Stamboll nëpërmjet Azerbajxhanit, raporton Anadolu.
Një aeroplan i “Turkish Airlines” solli trupin e aktivistes turko-amerikane në Aeroportin e Istanbulit, ku u mbajt një ceremoni.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë në Stamboll, ambasadorja Ayşe Sözen Usluer, si dhe zyrtarë të tjerë turq, morën pjesë në ceremoninë e pritjes së trupit.
Trupi i Eygit, i mbështjellë me flamurin turk, u prit nga një skuadër ushtarake në aeroport.
Pas ceremonisë, trupi i saj u dërgua për varrim në qytetin Aydın në Turqnë jugperëndimore.
26-vjeçarja Eygi u vra më 6 shtator gjatë një proteste paqësore kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite pranë Nablusit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Misionet diplomatike turke në Tel Aviv dhe Kuds koordinuan transferimin e trupit të aktivistes nga Tel Avivi në Baku para udhëtimit përfundimtar për në Turqi.
Dje, Turqia gjithashtu nisi hetimet për vrasjen sipas ligjit të brendshëm.