Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Türkiyes, Mehmet Aktaş, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ndërkohë është pritur në takime të ndara nga ministri i Punëve të Brendshme, Bledar Çuçi dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Muhamet Rrumbullaku, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ndërkohë, gjatë vizitës nga policia turke janë dhuruar për policinë shqiptare servera dhe pajisje për integrimin e disa prej programeve të policisë dhe për ruajtjen e të dhënave të tyre.
Në lidhje me takimin, ministri Çuçi ka shkruar në rrjetet sociale se “donacioni bujar” është një përgjigje e menjëhershme e Türkiyes pas kërkesës së Shqipërisë për ndihmë, siç tha ai për të rikuperuar sistemet e goditura nga sulmi kibernetik.
“E falënderova në emër të qeverisë jo vetëm për gatishmërinë e treguar në këtë rast, por për të gjithë suportin e vazhdueshëm që Türkiye i ka dhënë Shqipërisë për Policinë e Shtetit”, ka theksuar Çuçi.
Në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë thuhet se Aktaş është pritur në një takim nga drejtori i përgjithshëm i Policisë Shqiptare, Muhamet Rrumbullaku dhe më pas të dy delegacionet zhvilluan një takim pune për “forcimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e urave të reja në fushat me interes të përbashkët.”
“Të dy drejtorët e përgjithshëm vlerësuan marrëdhëniet mes dy policive, shkëmbimin e informacioneve për grupe dhe persona me aktivitet kriminal në fushën e krimit të organizuar, si dhe zhvillimin e operacioneve të përbashkëta për kapjen e personave të shumëkërkuar”, thuhet në njoftim
Në deklaratën pas takimit, Aktaş ka theksuar se Türkiye dhe Shqipëria kanë lidhje shumë thella miqësore.
“Ndihma jonë nuk do të ndërpritet këtu. Në të ardhmen, në kuadër të bashkëpunimit tonë, do të kemi dhe mbështetje akoma më të forta. Bashkëpunimi ynë është shumë i gjerë dhe një ndër fushat që kemi bashkëpunim të fortë është edhe fusha e trajnimeve dhe ofrimit të mundësisë për kurse. Bashkëpunimi do të vazhdojë në shumë fusha, si në luftën kundër terrorizmit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar”, ka deklaruar Aktaş.
Sipas njoftimit, Rrumbullaku ka deklaruar se kjo ndihmë vjen në kuadër të bashkëpunimit intensiv me Policinë Turke, bashkëpunim i cili, sipas tij, e “tejkalon nivelin protokollar dhe ka dimensionet e një miqësie të vërtetë dhe ndihme vëllazërore, në funksion të qëllimeve tona të përbashkëta”.
“Ura e bashkëpunimit ndërmjet policive tona karakterizohet nga gatishmëria dhe reagimi në kohë ndaj çdo sfide të përbashkët. Ky fakt na inkurajon për të ardhmen, për ta thelluar më tej bashkëpunimin për çështje konkrete si lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit, si dhe për rritjen e kapaciteteve trajnuese të policive të të dy vendeve”, tha Rrumbullaku.
Sipas njoftimit, ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, gjatë fjalës së tij në takim është shprehur se pala turke është në gatishmëri për ta mbështetur kurdoherë policinë shqiptare, për çdo çështje apo kërkesë që ajo ka.
Delegacioni i policisë turke i ka dorëzuar policisë shqiptare donacionin që përfshin servera dhe pajisje për integrimin dhe ruajtjen e të dhënave të disa prej sistemeve të policisë, që sipas njoftimit, u dëmtuan për shkak të sulmit kibernetik.
Kujtojmë se në korrik dhe shtator të këtij viti ndaj Shqipërisë u kryen sulme kibernetike. Në lidhje me këtë sulm kibernetik, Shqipëria më 7 shtator vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin si kundërpërgjigje “ndaj sulmit kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë”.