Përpjekjet intensive të Türkiyes ndikuan në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë të shpërndarjes së energjisë elektrike në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, e cila ka vazhduar që nga fundi i luftës së viteve 1998/99, transmeton Anadolu.
Të shtunën, Kompania Kosovare për Dustribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), e operuar nga një partneritet i kompanive të shquara turke Limak dhe Çalik, dhe kompania serbe Elektrosever, nënshkruan një kontratë për të kontribuuar në zgjidhjen e çështjes së shpërndarjes së energjisë elektrike në komunat me shumicë serbe që ka vazhduar për vite me radhë, si hap drejt normalizimit midisi Kosovës dhe Serbisë.
Miroslav Lajçak, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, përshëndeti nënshkrimin e kontratës ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit nëpërmjet një deklaratë në “X”.
“Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë me mbështetjen e BE-së dhe në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Lajçak, duke përgëzuar të gjithë ata që bënë të mundur këtë marrëveshje.
Në një deklaratë, KEDS-i gjithashtu përshëndeti nënshkrimin e kontratës për shpërndarjen e energjisë elektrike në komunat veriore të Kosovës, Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, pas një procesi të gjatë dhe delikat dhe përgëzoi palët e përfshira.
Türkiye: Një hap i rëndësishëm drejt procesit të normalizimit
Edhe Ankaraja e ka mirëpritur kontratën ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm që kontribuon në procesin e normalizimit duke mundësuar zgjidhjen e çështjes së shpërndarjes së energjisë elektrike në veri të Kosovës, thanë burime diplomatike.
Türkiye ka bërë përpjekje të mëdha për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e energjisë, e cila është një nga elementët më të rëndësishëm të Procesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, thanë burimet.
Sipas burimeve, Türkiye do të vazhdojë të mbështesë procesin e dialogut me mirëkuptimin se paqja e qëndrueshme në rajon mund të vendoset vetëm nëpërmjet dialogut dhe pajtimit dhe do të vazhdojë të japë kontribut konstruktiv në këtë proces nëse kërkohet nga palët.
Elektrosever është kompani motër e “Elektroprivreda Srbije”, e licencuar në Kosovë.
Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë u miratua në qershor të vitit të kaluar, me qëllim tejkalimin e krizës dhe problemeve në sektorin e energjisë, duke marrë parasysh marrëveshjet që kanë të bëjnë me energjinë nga viti 2013.
Ajo marrëveshje parashikonte afate të caktuara për zbatim, por ato nuk u respektuan, kështu që kjo marrëveshje vjen me një vonesë të madhe.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, qytetarët e pjesës veriore të Kosovës nuk e kanë paguar rrymën e përdorur. Qeveria e Kosovës ka ndarë miliona euro nga buxheti i Kosovës për të paguar faturat e banorëve komunave në veri të Kosovës.