Një kurorë e zezë është vendosur para Konsullatës Greke në Edirne të Turqisë me rastin e “79-vjetorit të masakrës ndaj shqiptarëve muslimanë të Çamërisë”, raporton Anadolu.
Anëtarët e organizatave joqeveritare, të cilët u bashkuan nën udhëheqjen e Federatës së Turqve të Ballkanit, u mblodhën para Konsullatës Greke në Edirne.
Grupi që mbante në duar flamurin turk ka lënë përpara konsullatës një kurorë të zezë me mbishkrimin “Nuk e kemi harruar masakrën e Çamërisë”.
Duke bërë një deklaratë në emër të grupit, presidenti i Federatës së Turqve të Ballkanit, Erhan Pekkan, pohoi se gjatë Luftës së Dytë Botërore, Greqia kreu një masakër ndaj shqiptarëve në rajonin e Çamërisë.
Ai tha se shqiptarët në Çamëri vuajtën shumë në atë kohë. Pekkan theksoi se “Në masakrën e Çamërisë që zgjati nga qershori 1944 deri në mars 1945 gjatë Luftës së Dytë Botërore, u vranë 2.900 burra, 214 gra dhe 96 fëmijë. Rreth 800 gra u dhunuan. Mijëra shqiptarë janë të zhdukur, afro 6.000 shtëpi u dogjën dhe 35 mijë shqiptarë u detyruan të largohen nga rajoni”.
Pekkan tha se dhimbja e asaj që iu bë shqiptarëve të Çamërisë po përjetohet ende.
Në deklaratë morën pjesë kryetari i Komisionit të Veprimtarive të Jashtme të Konfederatës së Turqve të Rumelisë së Ballkanit, Zürfettin Hacıoğlu, kryetari i Shoqatës së Solidaritetit të Turqve të Ballkanit në Babaeski, Gülsüm Kaynaklar, kryetari i Shoqatës Bullgare Turke Büyükkartıran, Cevat Sedes dhe anëtarë të organizatat qeveritare.
Çfarë ndodhi në rajonin e Çamërisë?
Duke u nisur nga jugu i Shqipërisë, Çamëria mbulon Epirin e Jugut, ku shqiptarët kanë jetuar që në kohët e lashta, pra rajonin nga Janina deri në Prevezë, që tani është brenda territorit të Greqisë. Shqiptarët që jetonin në këtë rajon ishin qytetarë osmanë deri në vitin 1913.
Në fund të Luftës Ballkanike, rajoni i Çamërisë iu dorëzua Greqisë si rajon etnik dhe pakicë në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës në vitin 1913. Në regjistrimin e vitit 1910, në rajon jetonin 83 mijë shqiptarë.
Shqiptarët e Çamërisë u masakruan gjatë Luftës së Dytë Botërore nga forcat e gjeneralit grek, Napoleon Zervas. Gjatë “spastrimit etnik” që zgjati nga qershori 1944 deri në mars 1945, u vranë 2.900 burra, 214 gra dhe 96 fëmijë, 745 gra u dhunuan, 68 fshatra dhe 5.800 shtëpi u dogjën.
Për shkak të masakrës së iniciuar nga gjenerali grek, rreth 35 mijë shqiptarë u detyruan të iknin nga rajoni i Çamërisë në Shqipëri.