Turqia dëshiron të bëhet shtet lider për sa u përket financave islame dhe tashmë po punon në këtë drejtim, tha shefi i Zyrës së Financave pranë Presidencës turke, Göksel Aşan, raporton Anadolu Agency (AA).
Me pjesëmarrjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, të hënën në Istanbul u prezantua “Dokumenti i Strategjisë së Financave të Pjesëmarrjes” i përgatitur nga Zyra e Financave e Presidencës.
Në fjalën e tij, Aşan tha se puna e tyre për strategjinë filloi me udhëzimet e presidentit Erdoğan, me idenë se “një sistem financiar më i drejtë, më gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm është i mundur për të gjithë njerëzimin”.
“Financa e pjesëmarrjes, e cila është zhvilluar në vazhdimësi në periudhën 1984-2021 në vendin tonë dhe ka zënë një vend të rëndësishëm në sistemin financiar, ka hyrë në pragun për të bërë një përparim të madh në periudhën në vijim. Dokumenti i Strategjisë së Financave të Pjesëmarrjes synon të sigurojë që sistemi i financës së pjesëmarrjes të arrijë pozitën që meriton në periudhën 2022-2025, të cilën ne e përshkruajmë si periudhë e transformimit të tërësishëm, dhe përfshin hapa konkretë për realizimin e transformimit strategjik”, tha Aşan.
Kryetari i Zyrës së Financave theksoi se ndryshe nga shumë vende që pretendojnë të jenë qendër e financave islame në botë, Turqia ka avantazhe shumë të rëndësishme bazuar në sfondin e saj historik, kulturor evropian, gjeopolitik dhe ekonomik.
Ai theksoi se duhet vlerësuar mundësitë që ofron pozita gjeografike dhe historia për sa i përket sistemit të financave të pjesëmarrjes.
“Me këtë motivim ne duam ta pozicionojmë Turqinë si vend lider të financave islame dhe ne po punojmë në këtë drejtim. Dokumenti i Strategjisë së Financave të Pjesëmarrjes që ne po e promovojmë sot është manifestim i drejtpërdrejtë i kësaj ideje”, tha Aşan.