Turqia edhe shpreson se marrëveshja në mes të Kievit dhe Moskës për eksportet e grurit, do të mund të vazhdohet edhe për 120 ditë, ndonëse koha po ecën.
Kjo marrëveshje konsiderohet kyçe për parandalim të krizës ushqimore globale.
Marrëveshja aktuale skadon në mesnatën e së shtunës, sipas kohës lokale të Stambollit.
“Afati i fundit është duke u afruar”, ka thënë ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar të premten.
“Ne jemi në kontakt me Ukrainën dhe Rusinë për vazhdim të marrëveshjes, sipas afateve origjinale”.
Lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur në shkurt të vitit 2022, ka rezultuar me bllokimin e porteve ukrainase në Detin e Zi, nga anijet luftarake.
Mirëpo më vonë – në korrik të vitit 2022 – është arritur një marrëveshje mes Ukrainës dhe Rusisë, nën ndërmjetësim të Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara, për të siguruar korridore të lira detare për transportim të grurit.
Ukraina është një prej prodhuesve më të mëdhenj të grurit në botë.
Akar ka përmendur se sipas pikave të marrëveshjes, ajo mund të vazhdohet për 120 ditë, përveç nëse palët vendosin ndryshe.
Marrëveshja fillestare është shtyrë në nëntor, deri më 18 mars.
Mirëpo Moska ka thënë ditë më parë se është e gatshme të vazhdojë marrëveshjen vetëm për 60 ditë.
Kievi nuk e ka pëlqyer këtë propozim, duke thënë se periudha është ndryshe prej asaj që e parasheh marrëveshja, ndonëse ukrainasit nuk e kanë flakur jashtë tavolinës atë mundësi.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /rel